“Qëndrim antishtet gjatë hetimit të miqve të saj”, Çupi kërkon dorëheqjen e Klotilda Bushkës nga Komisioni i Ligjeve
Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit lidhur me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Në një deklaratë për mediat, Çupi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mbrojtjen e korrupsionit dhe për pengimin e hetimeve ndaj Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Sipas Çupit, situata ka “shpërthyer” qeverinë, Bashkinë e Tiranës dhe Kuvendin e Shqipërisë, duke minuar besimin në institucionet shtetërore. Deputetja demokrate akuzoi mazhorancën për pengimin e drejtësisë, përfshirë manipulimin e provave dhe orientimin e dëshmitarëve drejt dëshmive të rreme.
“Komisioni i Ligjeve, Këshilli i Mandateve dhe Sekretariati për procedurat, votimet dhe etikën janë keqpërdorur për mbrojtjen e paligjshmërisë së Edi Ramës,” deklaroi Çupi, duke kërkuar dorëheqjen e kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
Ajo theksoi se opozita do të vazhdojë të denoncojë “keqpërdorimin e institucioneve” dhe mbrojtjen politike që, sipas saj, i ofrohet Veliajt nga mazhoranca. Ndërkohë, Çupi i bëri thirrje SPAK-ut të veprojë për të çuar përpara hetimet mbi çështjen.