Kthehet në Amerikë mësuesi i liruar nga Rusia
Presidenti Donald Trump priti mbrëmë vonë në Shtëpinë e Bardhë mësuesin amerikan Marc Fogel pas lirimit të tij nga Rusia ku ishte arrestuar që nga gushti i vitit 2021 pasi i ishte gjetur marijuanë mjekësore.
“Ndjehem si njeriu më me fat në botë tani”, tha zoti Fogel teksa qëndronte përkrah Presidentit Trump.
Zoti Fogel vlerësoi presidentin, diplomatët dhe ligjvënësit amerikanë për punën për të siguruar lirimin e tij.
“Jam i mahnitur nga ajo që bënë ata të gjithë”,tha zoti Fogel.
Presidenti Trump tha se e vlerësonte lirimin e zotit Fogel nga Rusia ndërsa nuk dha detaje lidhur me marrëveshjen që çoi në lirimin e tij, përtej cilësimit si “shumë të drejtë” dhe “shumë të arsyeshme”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po lironin një shtetas rus nga një burg amerikan si pjesë e marrëveshjes dhe se identiteti do të bëhej publik sapo të mbërrinte në Rusi.
Presidenti Trump tha se lirimi i një pengu tjetër do të njoftohej të mërkurën.
Mike Waltz, këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, tha më herët të martën se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia “negociuan një shkëmbim” për të liruar zotin Fogel, por nuk dha detaje rreth asaj që kishte ofruar pala amerikane. Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara kanë liruar të burgosur rusë të kërkuar nga Moska në shkëmbim të amerikanëve të burgosur në Rusi.
Sidoqoftë, zoti Waltz e portretizoi lirimin në terma të tjerë gjeopolitikë, duke thënë se “tregonte shenja mirëbesimi nga rusët dhe një shenjë se po ecet në drejtimin e duhur për t’i dhënë fund luftës brutale dhe të tmerrshme në Ukrainë”. Rusia filloi në vitin 2022 një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, me qindra mijëra të vrarë ose të plagosur nga të dyja palët.
Zoti Trump ishte zotuar se do t’i jepte fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës përpara se të merrte detyrën më 20 janar. Kohët e fundit, ndihmësit e udhëheqësit amerikan kanë thënë se presidenti shpreson ta bëjë këtë brenda 100 ditëve të para të administratës së re, afërsisht deri në fund të prillit.
“Që nga betimi i tij, Presidenti Trump ka siguruar me sukses lirimin e amerikanëve të arrestuar në mbarë botën. Ai do të vazhdojë punën derisa të gjithë amerikanët e ndaluar të kthehen në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Waltz.
Deri më sot është njoftuar lirimi i gjashtë amerikanëve të burgosur në Venezuelë dhe lirimi i zotit Fogel nga Rusia.
Mësuesi amerikan kishte me vete një sasi të vogël marijuane mjekësore me recetë për të trajtuar dhimbjen e shpinës kur u ndalua nga policia ruse. Në vitin 2022 ai u dënua me 14 burg, ndërsa administrata e Presidentit Biden tha në fund të vitit të kaluar se zoti Fogel ishte arrestuar pa të drejtë./VOA
Fraksion.com