“Keni në dorë të ardhmen e Shqipërisë”, Bardhi, Tabaku dhe Nallbati shqiptarëve në SHBA: 11 maji, moment i rëndësishëm
Nënkryetari i Partisë Demokratik Gazment Bardhi si dhe deputetët Jorida Tabaku dhe Bledjon Nallbati zhvilluan takim me shtetasit shqiptarë në Connecticut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bardhi ftoi shqiptarët që të regjistrohen për zgjedhjet e 11 majit.
“Vota juaj do t’i mundësojë Partisë Demokratike, të bëjë realitet ndryshimin e Shqipërisë. Ju jeni forca kryesore. Sot ka me shumë shqiptarë që jetojnë jashtë se ata që jetojnë në Shqipëri, e si e tillë fatmirësisht tashmë jeni të përfshirë dhe vendosni për jetën politike në vendin tonë. Prandaj ju kërkoj të mos e neglizhoni, ju kërkoj të regjistroheni dhe të votoni në masë në zgjedhjet e 11 majit. Shqipëria ka nevojë për ju dhe ju duhet të jeni aktiv,” tha Bardhi.
Deputetja Jorida Tabaku, foli për planin emergjent të Partisë Demokratike, ku përfshihen edhe emigrantët.
“Ky program është në shërbim të meritokracisë, një vlerë që ju e prekni çdo ditë në SHBA, por që në Shqipëri mungon. Ne flasim me programin tonë për xhepin tuaj, për ekonominë e familjeve tuaja – një ekonomi që në Shqipëri është e shkatërruar, sepse një sistem i korruptuar e ka zhytur vendin në një kënetë. Prandaj kërkojmë votën tuaj, që së bashku ta ndryshojmë këtë realitet!”, tha Tabaku.
Deputeti Bledjon Nallbati, tha se falë diasporës Partia Demokratike ka shansin që në 11 maj të bëjë realitet ndryshimin.
“Sot ju keni në dorë të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm falë angazhimit tuaj, falë përfshirjes tuaj Partia Demokratike, do të ketë shansin të bëjë realitet ndryshimin. Të angazhohet për të kthyer Shqipërinë në shinat e zhvillimit dhe integrimit, duke larguar një qeveri që e ka varfëruar dhe inkriminuar”.
Fraksion.com