AktualitetKosovaTë fundit

Kallas dhe Kos reagojnë për zgjedhjet në Kosovë: Të qeta dhe konkurruese

Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, ndërsa është zbatuar ligji i ri zgjedhor.

“Sipas konstatimeve preliminare, zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, ndërsa është zbatuar ligji i ri zgjedhor. Fushata ishte e ‘gjallë’. Procesi i përgjithshëm tregoi qëndrueshmëri dhe angazhim ndaj parimeve demokratike”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë është përmendur edhe Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor duke thënë se BE pret me padurim formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re për të vazhduar angazhimin me synimin për të mbështetur Kosovën për t’iu afruar BE-së.

“Ne presim me padurim formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën për t’iu afruar BE-së dhe për të përfituar plotësisht nga mundësitë e rëndësishme si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, thuhet tutje.

Në deklaratën e përbashkët u bëhet thirrje autoriteteve në Kosovë që të angazhohen për bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Në deklaratën e përbashkët të Kaja Kallas dhe Marta Kos thuhet se nuk ka alternativë për Dialogun e lehtësuar nga BE.

“Komisioni mbetet i disponueshëm për të përgatitur një Opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo ta kërkojë Këshilli”, thuhet në deklaratë.

 

Fraksion.com