Berisha: Populli do zgjidhje, s’mund të kemi prokurori politike
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përsëriti sot qëndrimin e tij në drejtim të institucioneve të drejtësisë ku theksoi se “kam denoncuar dhe denoncoj SPAK-un si një organizatë kriminale”.
Po shtoi Berisha “me këtë nuk nënkuptoj çdo punonjës në atë institucion, por nënkuptoj ata prokurorë që mbyllin krime, ata prokurorë që me dokumente zyrtare gjobisin kriminelë, vrasës për t’ua lehtësuar dhe manipuluar dosjet”.
“Po unë këto i kam dhe unë nuk mund të bëja kurrë deklarata të tilla pa prova dhe fakte të pakundërshtueshme. Janë këto prova dhe fakte dhe interesi i qytetarëve të cilët i paguajnë aty për të luftuar krimin dhe jo për të vjelë gjoba tek kriminelët dhe për t’u pasuruar”, tha Berisha.
Sa i takon Reformës në Drejtësi, Berisha theksoi më tej se kur Partia Demokratike të vijë në pushtet “do të angazhojë institucionin më serioz në botë, më të ditur në ligjbërje, më të aftë, që është Komisioni i Venecias”.
“Ne kemi filluar njëfarë pune sa për dijeni, me ekspertë shumë të shquar europianë, që të bëjnë një lloj vëzhgimi të kësaj dhe të gjejmë rrugë sepse populli do zgjidhje, një shtet do zgjidhje. Nuk mund të rrijë Shqipëria pa proces civil, pa proces penal. E thoshte edhe OECD, nuk vjen kush në Shqipëri për të investuar. Dhe natyrisht me një prokurori politike që nuk bën ligjin, por zbaton urdhrat e ministrit”, tha Berisha
Fraksion.com