“Trumpistët e kënetës opozitare u sollën si adoleshentë”, Rama pas arrestimit të Veliajt: Heshtja jonë i ka ndihmuar institucionet e reja të drejtësisë
Kryeministri Edi Rama komentoi sot zhvillimet e krahut opozitar, ndërsa u shpreh se “Trump-istët e kënetës opozitare shpallën dje fitoren”.
Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama komentoi prezantimin e konsulentit të fushatës elektorale të Partisë Demokratike.
“Dje Trump-istët e vetëshpallur Trump-istë të kënetës sonë opozitare patën një ditë masturbimi kolektiv tamam si adoleshentë. Shpallën fitoren sepse sollën me kushedi se çfarë lekësh dhe me sa lekë, një konsulent që ka punuar me Presidentin Trump”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “konsulentët atë punë kanë dhe unë jam i lumtur të them të vërtetën”.
“Unë numëroj turistë kur dikush thotë konsulentë. Luli kishte më shumë konsulentë, goxha konsulentë, partinë e kishte shumë më në formë dhe arriti një rezultat që dihet”, tha Rama.
Rama theksoi se nuk do t’i mbajë më për vete opinionet e tij kur ta shoh të arsyeshme që duhen ndarë me publikun në të gjitha rastet që drejtësia do bëjë punën e saj.
“Sot opinioni im është ky: Drejtësia e re ka hyrë tanimë në fazën që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm dhe mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj e palëkundur, por ama nuk ka më pse të mos shprehim edhe opinionet kritike që sot në këtë fazë janë të domosdoshme për të ndihmuar konsolidimin e drejtësisë së pavarur”, shtoi Rama.
Kryeministri u shpreh se kritikat duhet të ndihmojnë një drejtësi jo thjesht të pavarur të hetojë e godasë majtas e djathtas kë konsideron të arsyeshme, por edhe një drejtësi me standarde të paqortueshme demokratike, europiane.
“Aq më tepër kur në mexhelisin tonë u bë 5 vjet që flasin të tërë mbarë e mbrapsht për këdo që bën parakalimin para kamerave të paralajmëruara te SPAK dhe vetëm ne, PS, garante e Refomës në Drejtësi, forca që qeveris vendin heshtin. Heshtja jonë patjetër që i ka ndihmuar shumë institucionet e reja të drejtësisë deri këtu”, shtoi Rama.
Fraksion.com