Rama: BIRN nxori nga konteksti brutalisht përgjigjen e zyrës së shtypit të Kryeministrisë
Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj lajmit të publikuar nga BIRN, lidhur me deklaratat e tij për arrestimin e Erion Veliajt, ndërsa u shpreh se është nxjerrë nga konteksti brutalisht përgjigjja e zyrës së shtypit të Kryeministrisë.
“Kjo frëngji është e një grupi që quhet BIRN, i cili pretendon se lufton për të vërtetën dhe ndërkohë nxjerr nga konteksti brutalisht përgjigjen e zyrës së shtypit të kryeministrisë. Dhe tani ky titull i pavërtetë bëhet avaz kudo, e pastaj do thuhet se ai ka thënë që … Kjo më lart është bota çmendurake ku jetojmë”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri publikoi deklaratën e zyrës së shtypit në përgjigje të pyetjes së BIRN se a do të shkarkohet Erion Veliaj:
“Mesa duket nuk e keni ndjekur adresimin që kryeministri i bëri arrestimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, ku jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga të gjitha rastet e mëparshme.
E para, sepse nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni për të cilën ka një aktakuzë, po jemi përpara një romani voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij.
Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike. Por është ende shumë herët për të dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë.
E dyta, qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik, ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar.
Ky fakt tejet problematik për gjithë kryeqytetin, jo thjesht për kryebashkiakun si palë në proces po edhe për ne si garante të Reformës në Drejtësi dhe njëkohësisht të kontratave me qytetarët në nivel qendror e vendor, aq më tepër për metropolin e Shqipërisë, kërkon një reflektim shumë serioz.
Dhe e fundit, ne do t’ju ishim shumë mirënjohës juve dhe cilësdo media që në vend se të bëjë thjesht leximin e romanit policor të aktakuzës, të hedhë dritë për provat që e mbështesin ose jo fillin e atyre afro 400 faqeve.
Si përfundim, përgjigjja është që jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, po nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garante të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Ciladoqoftë ajo”.
Fraksion.com