Ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votimin nga jashtë, Gjiknuri: Vetëm 150 mijë shtetas pa dokumente, PD mos të bëhet pengesë
Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, përfaqësuesi i Partisë Socialist deputeti Damian Gjiknuri prezantoi disa propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor për votimin nga jashtë.
Gjiknuri tha se është parë e nevojshme dhe me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndërhyrjen në disa elementë të Kodit Zgjedhor.
“E para ishte aspekti i afateve. KQZ nga konsultimet me operatorë të ndryshëm të postave ka arritur në konkluzionin që i duhet më shumë kohë nga momenti i miratimit të listës së fletës së kandidatëve dhe printimit të fletës së votimit, deri në vajtjen dhe ardhjen e zarfit, dhe ka kërkuar që ky afat të jetë më i gjatë për arsye, sepse afati është i shkurtër dhe mund të rrezikohet që një pjesë e mirë e elektoratit të cilët janë regjistruar në listën e votuesve nga jashtë nuk do të kenë mundësi ta ushtrojnë këtë drejtë. Unë mendoj se do ta marrë mbështetjen e palëve, i krijon lehtësi KQZ ta administrojë këtë proces më mirë. KQZ të ketë më shumë kohë sepse nga momenti i paraqitjes së listës deri në aprovimin final koha mbetet e shkurtër dhe ka qëlluar që edhe lista përfundimtare e deputetëve është miratuar edhe 20 ditë para zgjedhjeve”, tha Gjiknuri.
Sipas Gjiknurit, përndryshe procesi mund të hyjë “në risqe të paparashikuara”.
E dyta tha Gjiknuri ka të bëjë me lehtësimin e barrës financiare për votuesit nga jashtë. Duke iu përgjigjur deputeti Enkelejd Alibeaj i cili tha se ky propozim është në shkelje të Kodit Zgjedhor, Gjiknuri tha se kjo nuk ka të bëjë fare me përfitime apo ndalime që ka parashikuar Kodi Zgjedhor.
“Unë nuk e di që të quhet përfitim, lehtësimi i ushtrimit të së drejtës së votës. Kjo masë financiare i jepet KQZ, i dyti përfitues është operatori i postës që do të paguhet nga KQZ. Çdo gjë që lehtëson ushtrimin e të drejtës së votës nuk ka të bëjë fare me këto përfitime apo me ndalimet që ka parashikuar Kodi Zgjedhor. Ne nuk e dimë si do të votojë diaspora. E rëndësishme është që zgjedhësit t’i krijohet lehtësi. Kjo është lehtësi për të gjithë zgjedhësit që do të marrin zarfin e paracaktuar”, tha Gjiknuri.
Një propozim i tretë, tha Gjiknuri ka lidhje me administrimin e procesit të votimit. Sipas Gjiknurit komisioni që do të administrojë votën e diasporës do të jetë një komision politik. Numërimi i votave të diasporës theksoi Celibashi do të bëhet në Tiranë me komisionarë të caktuar nga partitë politike dhe me një person teknik që do të jetë nga KQZ.
“Procesi bëhet nga administrata e KQZ-së, por opozita mendon se duhet të aplikohen të njëjtat parime si për votën brenda vendit, komisione të përbëra të natyrës politike me propozim nga partitë për administrimin e kësaj vote. Ne jemi dakord që këto parime të reflektohen. Komisioni që do të administrojë votën e diasporës do të jetë një komision politik, mund të ngrihen 2 ose 3 vende numërimi, varet sa do të jetë numri i votuesve në diasporë, çështjet teknike i përcakton KQZ, do të numërohen në Tiranë, në një vend si gjithë vendet e tjera si numërohen vota me përfaqësues të gjithë forcave politike, me komisionerë të caktuar nga partitë politike dhe me një person teknik që do të jetë nga KQZ pasi është një proces disi tjetër për sa i përket administrimit të bazës materiale. Votimi për diasporën fillon që në ditën që dërgohet zarfi. Këtu ka nevojë për asistencë shumë teknike të KQZ. Barrën më të madhe e kaq KQZ, është një proces i vështirë logjistik. Këtu do shumë kujdes e mbështetje. Është diskutuar edhe me opozitën që të kemi këtë lloj administrimi”, u shpreh Gjiknuri.
Gjiknuri tha që qeveria po ashtu adresoi edhe problemin për letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike të skaduara.
“Fatmirësisht dhe me kërkesë të opozitës reflektuam në sistemin PER që edhe personat që nuk kanë dokumente identifikimi të vlefshëm të mund të aplikojnë për regjistrim. Qeveria mori vendimin për shtyrjen për zgjedhësit që jetojnë nga jashtë. Vetëm për zgjedhësit nga jashtë”, tha Gjiknuri.
Sa i takon propozimit të Partisë Demokratike që votuesit nga jashtë të lejohen të regjistrohen me dokumente biometrike të shtetit ku jetojnë, Gjiknuri tha se edhe në aktet normative është parashikuar që të jenë dokumentet shqiptare. Gjiknuri tha se nga të dhënat janë 150 mijë shtetas që nuk kanë dokumente fare. Gjiknuri shtoi se kjo nuk mund të bëhet problem për të penguar pjesën më të madhe të kërkesave, që janë jashtë parametrave që ka ngritur KQZ.
“Debati që është hapur për pjesën e dokumenteve jashtë, kur kemi ndërtuar këtë sistem edhe në Kodin Zgjedhor edhe në aktet normative është parashikuar që të jenë dokumentet shqiptare sepse Kodi Zgjedhor njeh atë dokument për votim. Nga të dhënat nga Ministria e Brendshme i ka edhe KQZ, janë 150 mijë veta që nuk kanë dokumente fare, pa të dhëna në sisteme biometrike. Unë them se kjo nuk duhet të përbëjë problem për të penguar pjesën më të madhe me kërkesa që janë jashtë parametrave që ka ngritur KQZ, përcaktimeve që janë në ligjin zgjedhor. A thua se mbaruam 1.7mln zgjedhës dhe ngelën këto 150 mijë?!”, tha më tej Gjiknuri.
“Çdo proces ka firot e veta, por ne nuk kemi pse të vrasim sistemin e ngritur se ka nevojë dhe për integritet. Të gjitha këto sisteme ka të bëjë me faktin e krijimit të integritetit sidomos në votimin nga jashtë, është i lirë i pakontrolluar dhe garancia e parë është identifikimi. Kjo e bën procesin me llogaridhënie të plotë. Edhe ky propozim nuk ka pse të kthehet në pengesë, ta rishikojë këtë gjë pasi do të penalizoheshin institucionet për ta mundësuar. E vetmja pasojë do të ishte këtu. Është momenti që përtej klimës politike të gjithë të votojnë. Të gjitha palët të kenë akses të barabartë në këtë sistem”, tha Gjiknuri.
Fraksion.com