AktualitetTë fundit

Kush është Elman Abule, biznesmeni që u arrrestua sot nga SPAK-u!

GJKKO-ja ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg ndaj biznesmenit Elman Abule, administrator i Rametal SHPK. Abule dyshohet nga SPAK për veprën penale të pastrimit të parave.

“Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “……..” shpk;’, njofton SPAK.

Abule është një personazh jo pak i njohur për drejtësinë.

Elman Abule është biznesmeni me shtetësi belge, të cilit iu sekuestruan 50 milionë euro.

Sipas prokurorisë, nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Elman Abule në bashkëpunim me shtetasin K. B., E. B. etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre.

Abule rezultoi i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabandës me mallra të licencuara”, parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal.

Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, shtetasi Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme.

Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve K. B. apo V. A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.

 

Fraksion.com