AktualitetPolitikëTë fundit

Guardia di Finanza dhuron dy anije, Vengu: Forcim i sigurisë kufitare dhe luftës kundër trafiqeve

Dy anije të klasit “Vedeta 2000” i shtohen flotës së shtetit shqiptar, duke shtuar kapacitetet në angazhimin e përbashkët për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës.

Anijet u dhuruan për Policinë Kufitare Shqiptare nga Guardia di Finanza italiane dhe Misioni Interforza.

Në ceremoninë e mbajtur në Portin e Durrësit ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu si dhe komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza-s, Andrea De Gennaro.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në fjalën e tij, bëri të ditur se dhurimi i dy anijeve nga Guardia di Finanza është dëshmi e bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët italianë në funksion të rritjes së kapaciteteve të policisë dhe forcave të armatosura shqiptare.

“Prej korrikut të vitit të kaluar nën drejtimin e dy kryeministrave, Ramës dhe Melonit, një ekip i përbashkët i përbërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme së bashku me partnerët tanë në bregun tjetër të Adriatikut, kemi mundësuar dakordësinë e një protokolli rritjesh kapacitetesh për Policinë e Shtetit dhe FA”, tha Vengu.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, theksoi ministri, Italia do të dhurojë edhe 2 njësi lundruese për Rojën Bregdetare dhe një njësi luftarake për Forcën Detare

“Vazhdimësi e angazhimit të dy qeverive për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftën kundër trafiqeve, pasi këto anije do të luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtje të kufirit detar dhe sigurinë e shtetasve shqiptarë e italianë, si dhe turistëve që vizitojnë bregdetin tone”, u shpreh Vengu.

Kjo i shërben, shtoi ai, edhe rritjes së sigurisë në rajon.

“Është padyshim e nevojshme që Shqipëria të marrë përgjegjësi të reja sa i përket sigurisë lundrimore, luftës kundër trafiqeve dhe tërësinë e integritetit të hapësirave tona detare qoftë në Jon qoftë në Adriatik.

Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza-s, Andrea De Gennaro, u shpreh se misioni i Guardia di Finanza në Shqipëri është më i gjatë.

“Konsiderohet si misioni më i gjatë në historinë e Guardia di Finanza që dukshëm ka zgjeruar me kalimin e kohës aktivitetin e tij. Tashmë edhe përmes përdorimit të avionëve të pajisur me sensorë të një teknologjie të lartë, bashkëpunim që ka konsistuar në arritjen e rezultateve të një niveli të lartë në frontin e parandalimit të trafikut të paligjshëm përmes detit të lëndëve narkotike, kontrabandës së duhanit të prodhimit të jashtëm dhe emigrimit të paligjshëm”, tha ai.