Arrestimi i Veliajt/ Anuela Ristanit i delegohen detyrat e kryetarit të Bashkisë Tiranë
Anuela Ristanit i janë deleguar detyrat e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Deri më sot, Ristani ka mbajtur postin e zv.kryetares së Bashkisë së Tiranës.
Ky vendim ka ardhur pas një takimi të dytë brenda ditës së Kryeministrit Rama me nënkryetarët e Bashkisë Tiranë. Më herët, Kryeministria ka deklaruar se Erion Veliaj nuk do të shkarkohet nga detyra.
Sipas ligjit, kryebashkiaku mund të shkarkohet nga detyra me vendim të Qeverisë kur ka bërë shkelje të rëndë, kur dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë ose nuk paraqitet në detyrë për 3 muaj.
Veliaj u arrestua dje me vendim të GJKKO-së, si i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë, GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa. Ajo dyshohet se ka kryer veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.
Nën hetim për këtë çështje për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” është marrë deputetja e PS-së, Klotilda Bushka.
Fraksion.com