AktualitetPolitikëTë fundit

Arrestimi i Erion Veliajt, Rama në Bashkinë e Tiranës, takim me nënkryetarët

Pa kaluar 24 orë nga arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me nënkryetarët në Bashkinë e Tiranës.

Kreu i qeverisë ka mbërritur në Bashki rreth 1 orë pas komunikimit të tij live me ndjekësit në rrjetet sociale ku foli për prangosjen e Veliajt.

Kryeministri Edi Rama, është parë teksa del nga ambientet e Bashkisë pas takimit të zhvilluar me nënkryetarët.

Ndërkohë, ende nuk dihet se çfarë është diskutuar mes tyre.

Në takimin me kryeministrin Edi Rama kanë qenë 5 nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Anuela Ristani, Frida Pashako dhe Jonida Halili.

Kujtojmë që sot kreu i qeverisë reagoi për herë të parë në lidhje me arrestimin e Veliajt, duke thënë se ai u arrestua pa gjyq.

Rama deklaroi se po e ndjek me vëmendje çështjen e kryebashkiakut dhe se Partia Socialiste do të mbajë një qëndrim të drejtë.

“Natyrisht që marrja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla çerek milion zgjedhësh, jo një here, por tre herë, por po marrim aktualisht, – është një ngjarje tejet e madhe, të cilën unë nuk mund ta kaloj me formulën 5-vjecare “Nuk kam koment, nuk kam koment” dhe lajmi që kam për ju sot është se unë nuk do të mbaj më për vete opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme që duhen ndarë me publikun në të gjitha rastet që drejtësia do të bëjë punën e saj, siç e ka bërë deri më tani.

Sot, opinioni im është ky. Drejtësia e re ka hyrë tanimë në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm dhe mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj, e pa lëkundur, por ama nuk ka më pse dhe të mos i shprehim opinionet kritike që sot në këtë fazë janë të domosdoshme për të ndihmuar konsolidimin e drejtësisë së pavarur si drejtësi, jo thjesht e pavarur të hetojë dhe të godasë majtas dhe djathtas kë konsideron të arsyeshme, por dhe si një drejtësi me standarde të paqortueshme demokratike europiane. Aq më tepër ku në këtë mexhelisin tonë u bë 5 vjet që flasin të tërë, mbarë e  mbrapsht për këdo, për çdo individ që bën atë parakalimin atje, para kamerave të lajmëruara përpara për spektaklin tek stacioni i trenit dhe vetëm ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, forca udhëheqëse e reformës në drejtësi, garante e reformës në drejtësi, forca që qeveris vendin heshtim, heshtim, heshtim.

Do mundohemi të krijojmë një  opinion të konsoliduar për akt akuzën për të cilën gjykatësi ka firmosur t’ia heqi kokën nga shpatullat baskisë së Tiranës duke e lënë praktikisht pa drejtim një kryeqytet me 1001 punë në ditë, pa gjyq. Pa gjyq! Me sa kuptoj, këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. Për ta thënë minimalisht siç e shoh, shumë të çuditshëm. I nisur nga një novelë pafundësi fletësh. Novelë anonime dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 400 faqesh afërisht ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë, prokurori dhe gjykatësi paraprak bashkë kanë arritur në pikën që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim.”, tha Rama.

Arrestimi i Veliajt

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua rreth orës 14:00 të së hënës (10 shkurt), pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim.

Veliaj u filmua teksa dilte nga dera e Bashkisë me një dosje gri në dorë, i shoqëruar në distancë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gjykata e Posaçme vendosi gjithashtu masën e “arrestit shtëpiak” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe masën e “detyrimit të paraqitjes” për pesë biznesmenë, Gentian Sulën, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, Veliaj akuzohet se së bashku me Xoxën kanë krijuar dhe vënë në funksionim një skemë me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rridhnin nga Bashkia e Tiranës, që sipas SPAK është vërtetuar në nëntë raste.

Fraksion.com