Zgjedhjet e 11 majit, KQZ: Bashkitë të nisin njoftimin e zgjedhësve për qendrat e votimit, MB të lehtësojë procesin
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi kërkoi sot nga bashkitë të marrin masa të menjëhershme për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore në lidhje zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Detyrimet që burojnë nga Kodi Zgjedhor kanë të bëjnë me publikimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim të zgjedhësve dhe raportimin për vendndodhjen e qendrave të votimit (QV).
Sipas Celibashit, nga monitorimi i bërë nga KQZ janë konstatuar vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki.
Po ashtu, ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara ndërsa informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.
Sipas Celibashit, procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025.
Për të adresuar këto problematika, KQZ i kërkon bashkive të përfundojnë raportimin e caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Gjithashtu, i kërkon Ministrisë së Brendshme lehtësimin e procesit të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore.
Fraksion.com