AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Muzeu i Kujtesës dhe rindërtimi i hapësirës rreth Xhamisë, promovim Shkodrës edhe ndërkombëtarisht

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se Muzeu i Kujtesës dhe rindërtimi i hapësirës përreth Xhamisë së Shkodrës, do të krijojnë një impakt shumë të fortë në aspektin e promovimit të qytetit jo vetëm brenda vendit por edhe ndërkombëtarisht.

Gjatë prezantimit të këtyre projekteve, Kryeministri theksoi se Rilindja e Muzeut të Kujtesës është një zotim i përbashkët me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.

“Bashkë me rindërtimin e hapësirës përreth Xhamisë së Shkodrës, këto janë tanimë dy projekte konkrete të arkitektit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, qilimit të gurtë të Shirokës si edhe hyrjes së re të Shkodrës, Jesus Hernandez”, vlerësoi Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se realizimi i tyre me mbështetjen e qeverisë shqiptare, do t’i kthejë këto dy godina, në dy pika kyçe referimi për qytetarët, vizitorët e turistët e kryeqytetit të Veriut të vendit.

“Ekspozimi i  krimeve të diktaturës komuniste si edhe tregimi i historisë tragjike të fesë në Shqipëri, janë detyrim ndaj brezave po edhe vlerë e shtuar e një destinacioni kulturor si Shkodra”, shtoi Rama.

Kryeministri i konsideroi këto dy projekte transformuese për Shkodrën.

“I pari në sensin e marrëdhënies me të shkuarën dhe të domosdoshmërisë për të pasur një ekspozim të hapur të gjithë atyre plagëve të tmerrshme që diktatura komuniste hapi në Shkodër dhe i dyti për të krijuar një situatë absolutisht të re brenda perimetrit të zemrës së Shkodrës, duke e transformuar parkun sot të mbyllur të Xhamisë së Madhe në një hapësirë që sa e ngre lart në pah godinën domethënëse të xhamisë aq edhe i shërben komunitetit si një pikë takimi ku ndërthuren të gjitha moshat dhe ku shërbimet e xhamisë nga njëra anë dhe marrëdhëniet e një qyteti të tërë gjejnë vendin e tyre”, shtoi Rama.

“Nuk dyshoj fare se Muzeu i Kujtesës do të jetë një tjetër hallkë domethënëse e zinxhirit të këtyre hapësirave që ne kemi filluar të krijojmë që me ‘Bunkartin’ në Tiranë apo me Muzeun e Gjetheve në ish-godinën e përgjimeve të sigurimit të shtetit dhe që kanë krijuar goxha impakt edhe ndërkombëtarisht. Muzeu i Gjetheve është vlerësuar në vitin 2018 nga Këshilli i Europës si muzeu më i mirë i ndërtuar në Europë në vitin 2017 dhe për nga ky efekt pa diskutim që Shkodrës do t’i bëhet një promovim i mëtejshëm duke bërë që të dalë nga kufijtë e Shqipërisë edhe përmes këtyre dy objekteve”, shtoi Rama.

Kjo sipas tij, “kjo do të sjellë shumë më tepër vizitorë, turistë dhe të ardhura por edhe dije lidhur me Shkodrën në sytë dhe mendjen e shumë më tepër njerëzve.

Duke folur për financimet e këtyre dy investimeve, Kryeministri siguroi se do të financohen së bashku me bashkinë e Shkodrës dhe barrën kryesore do ta mbajë qeveria për Muzeun e Kujtesës.

“Do të bashkëpunojmë me komunitetin mysliman dhe myftiun e Shkodrës dhe gjithë ata që do të duan të bëhen pjesë e kësaj nisme për të siguruar financimin edhe të sheshit të madh të xhamisë, i cili do ta kthejë xhaminë e Shkodrës në një nga objektet më spektakolare të kultit jo vetëm në Shqipëri por botërisht. Është si një xhami e vendosur mbi një libër të shenjtë gjë që nuk e kam parë askund tjetër dhe patjetër që do të duhet të realizohet sa më mirë dhe do të ketë edhe nga pikëpamja ekonomike interes për komunitetin mysliman. Kjo nuk është çështja e jona por e komunitetit se si do ta administrojnë pjesën e tyre në atë projekt ku ka shumë hapësira të mundshme për të krijuar të ardhura”, tha Rama.

Fraksion.com