Misioni i KiE: Kosova mbajti zgjedhje paqësore, por përfaqësimi i grave mbetet i ulët
Misioni vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) i ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë si gjithëpërfshirëse dhe paqësore, megjithëse tha se përfaqësimi i grave në zgjedhje vazhdon të jetë i ulët.
Petra Bayr, shefe e delegacionit të PACE që i vëzhgoi zgjedhjet e së dielës në Kosovë, tha të hënën gjatë një konference për media në Prishtinë se “i gjithë procesi i zgjedhjeve ishte shumë cilësor”.
“Votuesit e Kosovës kanë demonstruar zotimin e tyre për demokraci duke votuar në mënyrë paqësore dhe pa tensione gjatë 9 shkurtit 2025 për zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje kanë shfaqur një relief politik në të cilin janë përfaqësuar si komuniteti shumicë, ashtu edhe ai pakicë. Për më shumë, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës që ka pasur një gamë më të gjerë të zgjedhjes politike ka mundësuar proces edhe më demokratik”, tha Bayr.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit morën pjesë shumë partie nga komunitetet pakicë, nga to gjashtë parti nga pakica serbe, përfshirë Listën Serbe, e cila i kishte bojkotuar institucionet kosovare nga viti 2022.
Por, Bayr tha se përfaqësimi i grave në fushatë në këto zgjedhje nuk shënoi rritje.
“Përfaqësimi i grave mbetet i ulët. Gjuha e urrejtjes online kundër grave ka pasur ndikim në pjesëmarrjen apo paraqitjen e tyre në këto zgjedhje”, tha ajo.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ende nuk ka të dhëna për pjesëmarrjen e grave në këto zgjedhje, ndërsa Bayr tha se raporti i PACE do të flasë për këtë më hollësisht pasi të publikohet në një datë më vonë.
Sipas ligjit në Kosovë, 30 për qind e listës zgjedhore duhet të jetë me kandidate gra për deputete.
Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), i cili e ka vëzhguar fushatën zgjedhore dhe votimin, tha së pjesëmarrja e grave në fushatë ka qenë mjaftë e ulët.
“Me mbi 60 për qind të aktiviteteve të monitoruara nga DnV ka pasur prezencë minimale të grave që mezi ka arritur 10 për qind të totalit. Sa i përket pjesëmarrjes aktive, gratë kanë përbërë vetëm 1 për qind të fjalimeve të mbajtura, me gjithsej 70 nga 230 fjalime që ne kemi arritur t’i monitorojmë”, thanë nga DnV gjatë fushatës.
Ndërkohë, shefja e PACE përmendi edhe disa nga parregullsitë që janë raportuar gjatë ditës së zgjedhjeve, si mospërditësimi i listave të votuesve, dyshimet për fshirjen e lehtë të ngjyrës matrikuluese etj.
Raporti i PACE për zgjedhjet në Kosovë do të diskutohet në seancën e prillit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, tha Bayr.
Rreth 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë votuan në zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 41.01 për qind apo 322.376 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ky rezultat preliminar i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazohet në numërimin e 93.25 për qind të vendvotimeve.
Në këtë numërim nuk përfshihen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendi, të cilat do të numërohen më vonë./REL
Fraksion.com