Kurti: Vetëvendosje është subjekti fitues që do ta formojë qeverinë
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është fitues i zgjedhjeve, duke shtuar se nga rezultatet preliminare tregojnë se populli i Kosovës e ka mundur edhe Serbinë.
Kurti para simpatizantëve ka theksuar se procesi zgjedhor ka shkuar pa incidente duke shtuar se do t’i vazhdojnë zotimet e tyre në të mirën e vendit.
Sipas tij, është Vetëvendosje ajo që do ta formojë qeverinë e ardhshme.
“Ne jemi subjekti i parë, subjekti fitues i cili do ta formojë qeverinë e ardhshme, besoj që nga rezultatet preliminare të gjithë e kanë të qartë se e ata që dolën të dytit e të tretit edhe po të mblidhen bashkë nuk bëjnë sa Vetëvendosja”, tha Kurti në një konferencë për media.
LVV-ja është në koalicion me partinë Guxo dhe Alternativa.
“Pra jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë, demokratike dhe progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, Kurti 3 dhe në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë edhe ato punët të cilat i kemi nisur por edhe shumë të tjera të reja në përputhje me zotimet tona”, deklaroi Kurti.
Gjithashtu, Kurti u shpreh se: “Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare, por rezultatet preliminare tregojnë një gjë të vërtetë, saktë, të qartë. LVV është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025…Procesi zgjedhor ka qenë proces demokratik i cili nuk ka pasur incidente, falënderoj policët dhe mekanizmat shtetërorë. Ne do t’i vazhdojmë punët e mira që kemi nisur në këtë katërvjeçar dhe do të bëjmë edhe shumë të tjera në përputhje me të gjitha zotimet tona, në jug e veri, në lindje e perëndim, cep më cep Republikës tonë për të gjithë qytetarët pa lënë asnjërin mbrapa. Ajo që dihet nga rezultatet preliminare është se edhe t’i bëjmë bashkë Pydykihin dhe Lydykihin nuk bëjnë sa Vetëvendosja jonë. Rezultatet preliminare kanë treguar edhe diçka shumë të vlefshme për politikën dhe historinë, kjo është që populli i Kosovës e ka mundur edhe Serbinë edhe Klan Serbinë”. /KosovaPress
Fraksion.com