25 miliardë lekë kreditim SME-ve, Sejko: Bankat tregtare nisin aplikimin pranë BSH-së
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se, “programin e ri i financimit të SME-ve, synon të nxisë kreditimin e bujqësisë si dhe biznesin e vogël dhe të mesëm”.
Në një intervistë për mediet Sejko, bëri të ditur se, bankat tregtare kanë nisur aplikimin pranë BSH-së për vlerën totale prej 25 miliardë lekë.
Sipas Guvernatorit, ky program i përkohshëm do të ofrojë një kapitull të ri për fermerët të cilët deri dje e kishin tepër të vështirë për të marrë një kredi, për shkak të mungesës së një kolaterali.
“Afati i kredive do të variojë nga 3 deri në 5 vjet, ndërsa sasia e kredisë që mund të marrë një biznes nuk do të kalojë masën e 25 milionë lekëve. Për të ulur kostot e fondeve për këta huamarrës, norma e interesit për ta do të jetë shumë herë më i vogël se ajo që ofrojnë normalisht bankat e nivelit të dytë. Nëse programi do të jetë i suksesshëm, Banka e Shqipërisë mund ta rrisë likuiditetin dhe shumën e këtij programi”, deklaroi Sejko.
Fraksion.com