AktualitetNATO/BETë fundit

Vendet baltike shkëputen nga rrjeti energjetik rus

Tre vendet baltike shkyçën sistemet e tyre të energjisë elektrike nga rrjeti energjetik i Rusisë të shtunën, thanë operatorët e rajonit, pjesë e një plani të krijuar për të integruar vendet me infrastrukturën e Bashkimit Evropian dhe për të rritur sigurinë.

Estonia, Letonia dhe Lituania u shkëputën nga rrjeti i përbashkët energjetik rus dhe do të sinkronizohen me rrjetin e BE-së të dielën.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të flasë në një ceremoni të dielën për të shënuar kalimin në sistemin e BE-së, tha zyra e saj të premten.

“Ne kemi arritur qëllimin për të cilin u përpoqëm, për kaq shumë kohë. Tani jemi në kontroll”, tha në një konferencë për shtypin ministri lituanez i Energjisë Zygimantas Vaiciunas.

Menjëherë pas shkëputjes, punëtorët letonezë përdorën një vinç për të arritur kabllot e tensionit të lartë në Vilaka, 100 metra nga kufiri rus dhe i prenë ato.

“Ne nuk do ta përdorim më kurrë rrjetin energjetik rus. Ne po ecim përpara”, tha në Vilaka Ministri letonez i Energjisë, Kaspars Melnis.

Planet që vendet baltike të shkëputen nga rrjeti i ish-zotërisë së tyre perandorake sovjetike, të debatuara për dekada, morën vrull pas aneksimit të Krimesë nga Moska në 2014.

Rrjeti ishte lidhja përfundimtare e mbetur me Rusinë për të tre vendet, të cilat fituan pavarësinë në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe u anëtarësuan në Bashkimin Evropian dhe NATO në 2004./voa

 

Fraksion.com