AktualitetTë fundit

Spahiu: Instalimi i akseleratorit të tretë në QSUNT rrit me 40% kapacitetet trajtuese për pacientët

Dita Botërore Kundër Kancerit nuk është vetëm një kujtesë për rëndësinë e shëndetit, stilin e kujdesshëm të jetesës dhe gjithçka që mund të bëhet për të një shëndet të mirë, por edhe një referencë për shifrat e të prekurve nga sëmundjet tumorale në vendin tonë.

Përgjegjësi i njësisë së Radiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku Orges Spahiu në një intervistë për ATSH-në thotë se “sipas të dhënave të Observatorit Global të Kancerit (Globocan), në vitin 2022 në Shqipëri janë diagnostikuar rreth 8 mijë raste të reja me kancer. Llojet më të shpeshta të kancerit në vend përfshijnë kancerin e gjirit, kancerin e mushkërive dhe kancerin e stomakut. Vetëm në QSUNT në vitin 2023 u diagnostikuan dhe trajtuan mbi 6500 raste në vit sipas ISHP-së”.

“Në njësinë e Radioterapisë marrin trajtim rreth 150-160 pacientë çdo ditë. Gjithashtu kryhen mbi 20 vizita në ditë. Në vitin 2024 u trajtuan me radioterapi 2049 pacientë me kancer, me një numër total prej 42 986 seancash trajtimi”, thotë Spahiu.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të fundit në njësinë e Kimioterapisë, janë realizuar një numër seancash kimioterapie: 18 311 seanca kimioterapie janë administruar te pacientët, 2730 vizita të para për pacientë të sapodiagnostikuar dhe 1540 pacientë janë trajtuar me regjim kimioterapie në forma të ndryshme.

Vitet e fundit, referuar edhe të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë bërë investime në aparatura me teknologji moderne për kurimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale në Spitalin Onkologjik. Spitali Onkologjik disponon dy akseleratorë linearë, nëpërmjet të cilëve trajtohen me radioterapi pjesa më e madhe e tumoreve solide që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi me teknika precize të avancuara, gjerësisht të përdorura në vendet e zhvilluara 3DcRT, IMRT, IGRT dhe VMAT.

“Gjatë vitit 2024 u instalua një pajisje e re ortovoltazhi që shërben për trajtimin e tumoreve sipërfaqësore të lëkurës si dhe një pajisje brakiterapie që shërben për trajtimin intrakavitar të tumoreve gjinekologjike në kombinim me terapinë me akselerator linear.

Me këto pajisje është mundësuar dhënia e 42 986 seancave trajtimi me radioterapi gjatë vitit 2024, me një kohë mesatare pritje prej 2-3 javësh. Aktualisht ka filluar puna për përgatitjen e infrastrukturës për instalimin e një akseleratori të tretë linear që pritet të bëhet funksional gjatë 6-mujorit të parë të 2025. Veç rritjes së kapacitetit trajtues të qendrës me rreth 600-700 pacientë të tjerë në vit, pajisja e re vjen me një teknikë shtesë të avancuar, e cila quhet SBRT, duke zgjeruar dhe më tepër mundësitë e trajtimit të tumoreve të vogla me vendndodhje kritike, me saktësi milimetrike”, sqaron Spahiu.

Në vendin tonë, vitet e fundit janë futur disa trajtime të reja për pacientët onkologjikë: Imunoterapi me Atezolizumab për kancerin e mushkërive, Avelumab për kancerin e fshikëzës së urinës, Pembrolizumab për melanomën dhe i aprovuar gjithashtu për patologji të tjera malinje. Terapitë e targetuara për kancerin e gjirit (Trastuzumab, Pertuzumab – PHESGO) dhe për kancerin kolorektal (Cetuximab, Bevacizumab). Këto terapi e reja të kombinuara për tumoret e gjirit Triple Negative, kanë sjellë përmirësim të ndjeshëm në mbijetesën e pacientëve.

Sipas mjekut Spahiu, kurueshmëria e një kanceri varet shumë nga stadi në të cilin diagnostikohet. Sa më herët të zbulohet një tumor, aq më të larta janë shanset për trajtim të suksesshëm dhe mbijetesë afatgjatë.

“Në stade të hershme (stadet I dhe II), kurabiliteti është i lartë. Tumori është i vogël dhe i kufizuar në organin ku ka filluar dhe nuk ka përhapje në nyjet limfatike ose organe të tjera. Shembuj me kurabilitet të lartë në këtë stad janë: kanceri i gjirit (90%+ mbijetesë 5-vjeçare), kanceri i zorrës së trashë (90% mbijetesë 5-vjeçare) dhe kanceri i prostatës (mbijetesë afër 100%).

Në stade të avancuara (III-IV), trajtimi është kompleks dhe kërkon terapi sistemike (kimioterapi, imunoterapi). Diagnostikimi i hershëm është çelësi i suksesit në trajtimin e kancerit. Skrining-u (mamografia, kolonoskopia, PSA, CT-scan) ndihmon në kapjen e sëmundjes kur është ende e kurueshme”, shton ai.

Mjeku Spahiu bën thirrje për kontrolle të vazhdueshme dhe rutinë për shëndet sa më të mirë.

“Shëndeti juaj është në duart tuaja! Bëni kontrolle të rregullta, ushqehuni shëndetshëm, shmangni duhanin dhe alkoolin, mbani një stil jete aktiv dhe mos injoroni shenjat e trupit tuaj. Kanceri i kapur herët shpëton jetë. Kujdesuni për veten dhe mos e humbni shpresën, çdo betejë mund të fitohet!”, përfundon ai.

 

Fraksion.com