AktualitetPolitikëTë fundit

Protesta para kryeministrisë, Berisha: Rrisim rrogat dhe pensionet

Kur na ndajnë rreth 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën e zhvilluar pasditen e sotme para Kryeministrisë, iu bëri thirrje të gjitha forcave opozitare që të bashkohen drejt fitores së thellë.

“Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitë, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës. Ftoj socialistët e ndershëm, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha prezantoi edhe një pjesë të programit të Partisë Demokratike. Ai tha se pas 11 majit, çdo pensionist do marrë të paktën 200 euro dhe se rroga mesatare do jetë 1,200 euro.

“Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera”, theksoi Berisha.

“Ky nuk është një miting elektoral, por përsëri ne duhet të ndjehemi krenarë me programin tonë. Me programin tonë kemi faktuar vjedhjet e tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve. Ne u premtojmë të gjithë punëtorëve me rrogë të ulët, se në Shqipëri pas 11 majit, brenda 3 muajsh, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Brenda vitit, rroga mesatare do jetë 1,200 euro”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi më tej se “energjia, që sot ato e paguajnë 18 deri 24 lekë, do jetë 3.2 herë më e ulët. Do jetë 7 lekë”.

“Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjeve të bizneseve do pjesëtohen me tre. Do ulen tre herë. Taksa e sheshtë 10% për bizneset e tjera është zotimi ynë. Biznesi i vogël do paguajë gjysmën e asaj që paguan sot për sigurimet shoqërore”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej se “edhe ne kemi në programin tonë rivendosjen në piedestal të familjes, vlerave të saj, të besimit tek Zoti, të interesit kombëtar”.

Berisha theksoi se “fitorja varet nga ne”.

“Fitorja, në rast se ne e bëjmë natën ditë, në rast se ne përkushtohemi, në rast se ne nuk harrojmë se jemi parti që bëmë të pamundurat, të mundura, ne do korrim një nga fitoret më të thella”, tha Berisha.

 

Fraksion.com