Përplasja Albin Kurti-Richard Grenell, si nisi dhe si vijoi
Teksa Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, vëmendjen e opinionit publik e ka marrë përplasja mes të dërguarit të Presidentit Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Diplomati amerikan theksoi vetëm pak ditë më parë në rrjetin social “X” se qeveria e Kurtit nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, e as mandatit të Joe Biden.
Sigurisht, ky qëndrim i ashpër i tij “ushqeu” mediat. Albin Kurti u pyet nga gazetarët në Kosovë dhe tha se marrëdhëniet me SHBA-në janë më të forta se kurrë. “Nuk kanë qenë më të forta se tani. Kemi investimet më të mëdha amerikane”, u shpreh Kurti.
Edhe kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës solli reagimin e Grenell. “Zhgënjyese. Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e SHBA-së, Anthony Blinken etj”, deklaroi Grenell.
Por pse ndodh kjo përplasje mes Grenell e Kurtit? Cila është zanafilla e saj?
Nuk është hera e parë që Grenell përplaset me Albin Kurtin, e madje nuk kanë munguar akuzat e forta mes të dyve. Në vitin 2020, kur Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet, Grenell ishte i dërguari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Më 23 Janar 2020, pak ditë para se Albin Kurti të merrte detyrën si kryeministër i Kosovës, Richard Grenell u takua me të. Asokohe, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ishte në negociata me Lidhjen Demokratike të Isa Mustafës për një koalicion qeverisës. Pas takimit me të dy, Grenell tha se nuk përzihet në çështje politike ndërsa pati një kërkesë të veçantë: heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe .
Më 4 Shkurt 2020, Albin Kurti mori zyrtarisht detyrën si kryeministër.
LVV ishte në koalicion me LDK-në, por mospërputhjet mes partnerëve ishin evidente. Një nga përplasjet më të mëdha ishin pikërisht për tarifën 100% për produktet me origjinë nga Serbia. Kurti nuk pranonte ta largonte masën dhe insistoi në reciprocitet, ndërsa LDK-ja kërkoi largim të tarifës pa kushte. Pra bëhet fjalë për një tarifë që po kërkohej të hiqej me ngulm edhe nga zyrtarët amerikanë e kjo gjë lëkundi koalicionin mes LDK-së e LVV-së.
Për këtë arsye LDK-ja më 18 Mars doli nga koalicioni dhe njoftoi për inicimin e mocionit të mosbesimit për qeverinë Kurti. E kësisoj më 25 Mars 2023 ra qeveria e parë “Kurti”. Pas diskutimeve u arrit marrëveshja për krijimin e qeverisë së Avdullah Hotit.
Më 26 Mars, Kurti do të reagonte për herë të parë pas rënies së qeverisë së tij. Nuk kurseu akuzat për Grenell.
“Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”, tha Kurti.
Ndër të tjera Kurti shprehej se në takimet me Grenell nuk i kishte premtuar asnjëherë se do ta hiqte tarifën 100% pa reciprocitet. Por kjo u mohua nga Grenell që tha: Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën.
E sa i përket deklaratës së Kurtit për shkëmbim territoresh solli sërish reagimin, kësaj here të përbashkët, të Richard Grenell, ambasadorit të SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett dhe përfaqësuesit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer .
“Ne duam të bëjmë të qartë se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, asnjëherë nuk e ka parë dhe as nuk e ka diskutuar një plan të tillë”, thuhej në deklaratën që vinte nga Uashingtoni, e cila duket se përgënjeshtroi akuzat e Albin Kurtit për ekzistencën e një plani të tillë.
E këto akuza kanë vijuar. Më 7 Maj 2020, teksa Albin Kurti tashmë ishte kryeministër në detyrë e po “piqej” qeveria “Hoti”, lideri i LVV-së, foli në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ku tregoi se nga e ka marrë vesh për një marrëveshje sekrete mes Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiç. As aty nuk munguan akuzat për Grenell.
Albin Kurti: Ambasadori Grenell ka më të rëndësishme kohën e marrëveshjes se sa përmbajtjen e saj. Kjo qasje e shtyn që të bëjë më shumë trysni në palën më të dobët. Në këtë rast Kosova është më e dobët se Serbia.
Blendi Fevziu: Çfarë marrëveshje ka mes Thaçit dhe Vuçiçit?
Albin Kurti: Është një marrëveshje sipas së cilës Kosova do duhej të hiqte dorë nga komunat në veri të lumit Ibër. Serbia do të fitonte ndonjë komunë shtesë në veri të lumit Ibër. Për kompensim, Kosova do të merrte ca fshatra në Luginën e Preshevës, por kurrsesi Bujanovcin dhe Medvegjën, në rastin më të mirë, qytezën e Preshevës.
Dy ditë më vonë, Albin Kurti i dërgoi një letër zv/presidentit amerikan, Mike Pence. Aty ai i ankohej se i dërguari special i Trump-it, Richard Grenell është keqinformuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Asokohe Kurti ishte në ditët e tij të fundit si kryeministër në detyrë, pasi më 3 Qershor 2020, u votua Avdullah Hoti si kreu i ri i qeverisë.
“Ne e mirëpresim formimin e qeverisë së re dhe mezi presim të bashkëpunojmë për vazhdimin e dialogut me Serbinë”, thuhej në deklaratën e parë të Richard Grenell pasi ai mori detyrën.
Hoti kishte premtuar se qeveria e tij do të hiqte të gjitha pengesat që bllokonin rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E këtë, ai e bëri që në mbledhjen e qeverisë më 6 Qershor 2020.
Në vitin 2021, më saktësisht në 2 Mars, kur tashmë Donald Trump ishte larguar nga pushtetit, ish i dërguari i tij për dialogun, Richard Grenell e quajti Albin Kurtin një anti-amerikan.
“Lideri i ri i Kosovës, majtisti anti-amerikan Albin Kurti, ka qenë kundër politikës së SHBA-së që janë sugjeruar nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai është gjithmonë antiamerikan. Ekipi i Biden duhet ta ndalojë këtë”, shkroi Grenell.
Reagimi i tij erdhi për shkak të deklaratës së Kurtit se Kosova do të shqyrtonte nëse ambasadën në Izrael do ta vendoste në Jerusalem apo në Tel Aviv. Kujtojmë se më 14 Shkurt, kreu i LVV-së kishte fituar zgjedhjet duke siguruar 58 karrige në Kuvendin e ri për të krijuar qeverinë “Kurti 2”.
Por duket se në këtë “betejë” u përfshinë edhe diplomatë të tjerë. Ai gjerman, Wolfgang Ischinger, i kërkoi Grenell-t që të mos ndërhyjë në politikat e brendshme të Kosovës.
“Ric, sinqerisht: ndalo përpjekjen për të ndërhyrë. Mjaft dëm është bërë. Mandati juaj ka skaduar. Lërjani Kosovën njerëzve të Kosovës”, ka shkruar Ischinger.
Ndërsa Grenell iu kundërpërgjigj Ischingerit duke thënë se nuk është mirë që të përpiqet t’i ndalojë personat të shprehin mendimin e tyre vetëm pse janë homoseksualë.
“Jam gjithashtu i lumtur të krahasoj progresin tim me tuajin çdo ditë”, ka shkruar Grenell .
Qëndrimet e ashpra do të vijonin sërish pasi Albin Kurti vendosi të votonte në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në Shqipëri më 25 Prill 2021.
“Kryeministri i Kosovës po voton në zgjedhjet shqiptare. Kjo i tregon botës shumë për Kurtin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë dyshues ndaj motiveve të tij”, shkroi Grenell në Twitter .
Në vitin 2022, Grenell akuzoi Kurtin se refuzoi një gazsjellës që ia ofroi Amerika. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ai tha se nuk ka folur personalisht për Kurtin, por për politikat amerikane.
“Nuk e kuptoj se pse Kurti ka refuzuar një gazsjellës të pastër që amerikanët ishin vetë të gatshëm ta paguanin”, tha ai
Më poshtë gjeni një pjesë të intervistës për gazetarin Blendi Fevziu:
Blendi Fevziu: Z. Grenell, keni ndonjë problem personal me Kurtin? Media e ka përshkruar reagimin tuaj si personal ndaj qeverisë së Kurtit.
Richard Grenell: Ju sfidoj te gjeni sikur një shembull ku unë personalisht kam folur për Kurtin. Gjithmonë kam folur për politikat amerikane. Kur lidhëm një marrëveshje ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës dhe meqë ra fjala dua të komplimentoj administratën Biden që e ka përqafuar atë marrëveshje. Se tani do ta zbatojnë ata këtë marrëveshje.
Blendi Fevziu: Pak rëndësi ka a janë demokrate apo republikanë.
Richard Grenell: Politika e SHBA-se është të vihet në zbatim kjo marrëveshje ekonomike dhe Alban Kurti nuk po e bën këtë gjë. Unë nuk shikoj partinë politike. Dua vetëm që të zbatohet një politikë e mirë për popullin dhe unë këtë mbështes.
Blendi Fevziu: Por pas kësaj Kurti i fitoi zgjedhjet me një rezultat tepër të lartë. Kjo do të thotë se populli e ka mbështetur dhe ka besim tek ai.
Richard Grenell: Nuk jam i sigurt se populli do të mbështeste refuzimin e gazsjellësit të pastër. Kjo s’do mend.
Blendi Fevziu: Si është tani politika e jashtme e Kurtit në marrëdhëniet me SHBA-në?
Richard Grenell: Në mënyrë thelbësore, refuzimi i një ideje amerikane për energji të pastër, është shumë problem. Nuk mendoj se ka shumë raste kur Kurti shtyn para politika për të cilat qeveria amerikane mund të jetë dakord. Ai sikur po kthen pas shumë progres që është bërë. Sigurisht, kush do pronësi të qeverise dhe Kurti këtë pozicion po mban./tv klan
Fraksion.com