Ilir Meta nga qelia- protestuesve: Në Shqipëri, shteti ka mafian e saj!
Ish-Presidenti i vendit Ilir Meta ka dhënë mesazhin e tij nga qelia e burgut sot në protestën kombëtare të opozitës. Duke përshëndetur demokratët dhe në veçanti Sali Berishën e Ervin Salianjin, ai theksoi në krye të herës se “në Shqipëri, shteti ka mafian e saj”.
“Përshëndetje misionarë të lirisë, demokracisë, dhe patriotizmit. Përshëndetjet më të përzemërta dhe të gjithë drejtuesit e opozitës, përshëndetje e veçantë për Ervin Salianjin dhe të gjithë të burgosurit politikë. Në Shqipëri, shteti ka mafian e saj!”
Me bindjen se denoncimet ndaj qeverisë do vijojnë, vuri theksin te “premtimet elektorale” që sipas tij bën kryeministri Edi Rama në prag të zgjedhjeve.
“Ky Edi Rama u kujtua pas 12 vitesh në pushtet për të hedhur sytë nga bujqësia. Kush e pengoi këtë deri tani, apo kujton se me këtë shashkë do mashtrojë mbi 35% të shqiptarëve që merren me bujqësi?! Si s’pati kohë para 2 muajsh të votojë amendamentet e opozitës për të rritur buxhetin për fermerët. A mund t’u thotë se ku e ka ndërtuar atë Akademinë e famshme që premtoi? Apo në prag të zgjedhjeve, premton mashtrime të reja, pa dhënë llogari për ato të vjetrat. Jemi vendi me mbështetjen më mjerane për bujqësinë. Nuk ka shtresë më të diskriminimuar në këto 12 vite se sa pensionistët dhe u është borxh deri në fyt çdo pensionisti në zonat urbane e rurale. Ky i çon lekët te inceneratorët që nuk ekzistojnë apo nuk punojnë!”
Nuk la pa përmendur SPAK-un dhe kreun e saj Altin Dumani.
“Se si funksionon SPAK dhe drejtësia e re na e sqaroi mirë Arben Ahmetaj! Drejtësia e re është mashtrimi më i madh që ka ndodhur. Ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI-së, si shpjegohet se nuk e ka thirrur asnjëherë Edi Ramën për çështjen “McGonigal”. Mbahem në burg për firmat e tij, ky është SPAK-u!”