AktualitetBota+Të fundit

Trump: Javën tjetër do të takoj Zelenskyn. Do të flas edhe me Putinin!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do të takohet me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky javën e ardhshme. Ai e tha këtë para një takimi dypalësh në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin japonez Shigeru Ishiba.

Trump gjithashtu përsëriti se do të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin. “Duhet t’i japim fund kësaj lufte, ka shumë vdekje,” tha ai.

Më 23 janar, duke folur me video në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Presidenti Trump kishte njoftuar tashmë se donte të takonte homologun e tij rus “së shpejti” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ditët e fundit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi gjatë një konference për shtyp se Rusia “nuk ka marrë ende asnjë sinjal nga Shtetet e Bashkuara” në lidhje me takimin hipotetik me Presidentin Putin .

“Deri më tani nuk kemi marrë asnjë sinjal nga amerikanët,” shpjegoi ai. “Gatishmëria mbetet dhe e njëjta gjë mbetet në anën e SHBA-së. Me sa duket, duhet pak kohë”, tha Peskov.

Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës vijon prej 3 vitesh, ndërsa ka shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e të dy vendeve.