Balluku tek pika e grumbullimit në Lushnjë: Eksporte për tregjet e njohura europiane
Rritja e sasisë së prodhimeve bujqësore po kërkon gjithmonë e më shumë rritjen e kapaciteteve magazinuese dhe ambalazhuese të pikave të grumbullimit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi sot në Lushnje, një prej pikave të grumbullimit më të njohura në zonë, të ngritur nga zonja Neta.
Kjo pikë grumbullimi mbledh fruta dhe perime nga e gjithë Shqipëria dhe i eksporton ato në tregjet e njohura europiane.
“Kam 25 vite në këtë treg. Fillimisht shisja pak, vetëm produktet që prodhoja në serrat e mia, por gradualisht e shtova sasinë duke shitur edhe prodhimet që ua merrja fermerëve të tjerë të zonës. Teksa në atë kohë në tregun që shisja vinin për të blerë tregtarë nga Kosova, Mali i Zi etj., që kërkonin produkte në sasi më të mëdha. Ata prunë miq të tjerë për të blerë dhe ishte kjo, ajo që më nxiti mua të ndërmarrë iniciativën për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre duke mbledhur prodhimet e fermerëve të zonës dhe gradualisht deri sot, duke e zgjedhur furnizimin edhe nga fermerët e rretheve të tjera, që i eksportoj në shtete të ndryshme të Europës dhe më gjerë”, tregoi Neta.
Ajo vlerësoi mbështetjen që i ka dhënë MBZHR dhe institucionet e linjës për të arritur deri këtu, siç tha ajo,”që eksporton sot kudo”.
“Sot kemi të punësuar rreth 35 vetë dhe në mars numri i të punësuarve dyfishohet. Specat e kuq që po selektojmë tani do të shkojnë në Rumani, ndërsa lakra e bardhë do të shkojë në Lituani dhe një ngarkesë tjetër me lakra të vogla do të shkojë në Poloni”, tha ajo.
Balluku theksoi se edhe fermerët janë ndërgjegjësuar dhe po punojnë fort për të prodhuar me cilësi dhe kualitet të lartë.
Fraksion.com