Ambasadorja Huber: Zvicra e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm, mbështetja jonë vazhdon
“Zvicra e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm dhe angazhimi dhe mbështetja jonë vazhdon.”
Kështu u shpreh ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Ambasadorja Huber foli për marrëveshjen për punësimin dhe aftësimin e të rinjve që është nënshkruar mes Zvicrës dhe Shqipërisë.
Ajo u shpreh se kjo marrëveshje zyrtarizon në nivel qeveritar grantin prej 10 milionë eurosh për sektorin e arsimit dhe formimit profesional (AFP-së) gjatë katër viteve.
Sipas saj, qëllimi është që të rinjtë nga e gjithë Shqipëria të gjejnë punë tërheqëse dhe fitimprurëse pasi të kenë marrë aftësi të reja dhe më të mira profesionale.
Huber nënvizoi se, deri në 29 400 të rinj, duke përfshirë ata me prejardhje të pafavorshme, do të përfitojnë nga mundësi më të mira arsimore dhe punësimi.
Ambasadorja Huber gjithashtu foli edhe për aktivitetet kulturore të Zvicrës në vendin tonë.
Ajo u shpreh se, Java e Kulturës Zvicerane që sapo u mbyll, u fokusua në veprat e artistëve dhe grupeve kulturore shqiptare.
Huber theksoi se Zvicra mbështet skenën e pavarur kulturore të Shqipërisë që nga viti 2017 përmes Fondit të Kulturës Zvicerane, duke ushqyer krijimtarinë e saj.
Gjithashtu ambasadorja Huber hodhi poshtë zërat për bllokime fondesh nga Zvicra për Shqipërinë.
Ajo tha se, “nuk ka bllokim fondesh, është një ripërshtatje e buxheteve tona. Deri në vitin 2028 do të bëjmë një largim gradual të fondeve nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, ndërsa do të vazhdojë financimi nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike SECO përtej vitit 2028.
Sipas saj, ky reduktim gradual shkon në hap me përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.
Ajo theksoi se, “pas vendimit të parlamentit zviceran, ne do të ripërshtatim programin në Shqipëri dhe do të fokusohemi në fushat që do të mbështeten pas vitit 2028: stabiliteti makroekonomik, mjedisi i biznesit, shërbimet e infrastrukturës, rritja e sektorit privat dhe ndryshimet klimatike (agjenda e gjelbër)”.
Ambasadorja Huber nënvizoi se, Zvicra mbetet e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit deri dhe pas vitit 2028
Intervista e plotë e ambasadores së Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber për Agjencinë Telegrafike Shqiptare
ATSH: Ambasadorja Huber, mund të na thoni më shumë rreth marrëveshjes për punësimin dhe aftësimin e të rinjve që është nënshkruar mes Zvicrës dhe Shqipërisë?
Ambasadorja Huber: Javën e kaluar ne nënshkruam një marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e ‘Aftësi për Punë / Skills for Jobs’ (S4J), një projekt që mbështet arsimin profesional në Shqipëri. Nënshkrimi zyrtarizon në nivel qeveritar grantin prej 10 milionë eurosh për sektorin e arsimit dhe formimit profesional (AFP-së) gjatë katër viteve. Zvicra nëpërmjet Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), është një partner kyç në forcimin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri.
ATSH: Cilat janë qëllimet kryesore të kësaj marrëveshjeje dhe numri i të rinjve përfitues nga kjo marrëveshje?
Ambasadorja Huber: Qëllimi është që të rinjtë nga e gjithë Shqipëria të gjejnë punë tërheqëse dhe fitimprurëse pasi të kenë marrë aftësi të reja dhe më të mira profesionale. Projekti “Aftësi për Punë”, i zbatuar nga Swisscontact, synon të zgjerojë aksesin në trajnime profesionale cilësore dhe në mundësi punësimi për të rinjtë dhe të rriturit me prejardhje të ndryshme.
Deri në 29 400 të rinj, duke përfshirë ata me prejardhje të pafavorshme, do të përfitojnë nga mundësi më të mira arsimore dhe punësimi. Projekti tashmë punon me 10 shkolla publike profesionale në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Berat, ndërsa mbështetja direkte do të shtrihet në katër shkolla të tjera. Praktikat e suksesshme do të zgjerohen në më shumë shkolla profesionale dhe biznese, në mënyrë që të ndërtohet një sistem AFP që do të vazhdojë të rritet dhe të evoluojë për brezat e ardhshëm.
ATSH: Si do të ndikojë kjo marrëveshje në mundësitë e punësimit për të rinjtë shqiptarë dhe si do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive profesionale të tyre?
Ambasadorja Huber: Evidenca – si nga Zvicra, edhe nga Shqipëria – tregojnë se studentët që marrin pjesë në trajnime praktike gjatë studimeve bëjnë një kalim më të shpejtë nga shkolla në punë. Në vitin 2023, 71,2% e të diplomuarve nga shkollat tona partnere ishin të punësuar ose të vetëpunësuar brenda një viti pas diplomimit. Për më tepër, 63,5% e të diplomuarve e kishin siguruar punën e tyre të parë përpara se të përfundonin shkollimin.
Fokusi është në pajisjen e të rinjve me aftësitë e kërkuara nga tregu i punës dhe kjo do të thotë ta bëjmë arsimin profesional më relevant dhe të orientuar drejt tregut të punës. Një komponent kyç është iniciativa ‘AFP e dyfishtë’, e frymëzuar nga modeli zviceran dhe e prezantuar me sukses në Shqipëri me mbështetjen tonë. Studentët shpenzojnë 50% të kohës së tyre në një vend pune ku ata vënë në praktikë mësimin teorik. Ky është një model ‘win-win’ si për studentët, ashtu edhe për punëdhënësit e sektorit privat.
“Aftësi për Punë” do të punojë në dy fronte: në modernizimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit profesional dhe në përfshirjen e kompanive të sektorit privat në proceset arsimore. Projekti prezanton qasje novatore të mësimdhënies: mësimin e bazuar në punë, mësimin e përzier dhe mjetet dixhitale. Për shembull, në vitin 2020 projekti prezantoi për herë të parë një platformë mësimore virtuale, MesoVET, në Shkollën Tregtare Vlorë. Që atëherë ai është bërë një mjet i rëndësishëm në sektorin e arsimit profesional, i cili mundëson vlerësimet dhe provimet digjitale dhe që sjell lehtësime si për studentët, ashtu edhe për mësuesit.
Është thelbësore që institucionet profesionale të bashkëpunojnë me bizneset për të siguruar që arsimi dhe punësimi janë të lidhura ngushtë. Projekti ka treguar rezultate të mira deri më tani në mbylljen e hendekut midis arsimit shkollor dhe nevojave të punëdhënësve.
ATSH: Cilat janë fushat ose sektorët ku do të fokusohet trajnimi dhe aftësimi i të rinjve?
Ambasadorja Huber: “Aftësi për Punë” mbështet institucionet profesionale për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës dhe për t’u ofruar të rinjve aftësi që janë të rëndësishme për një gamë të gjerë industrish: TIK, hoteleri dhe turizëm, prodhim dhe sektorë të tjerë.
Duke i dhënë përparësi përshtatshmërisë dhe inovacionit në arsimin profesional, projekti ndihmon në krijimin e një fuqie punëtore që është më e përgatitur për tregun në zhvillim të punës. Kjo siguron që studentët dhe të diplomuarit të kenë shanse më të larta për punësim fitimprurës dhe mund të kenë një tranzicion të butë për në vendet e punës në të gjithë këta sektorë.
ATSH: Cila janë disa prej projekteve që janë planifikuar për të mbështetur këtë iniciativë dhe si do të sigurohet që ajo të arrijë në çdo qytet të Shqipërisë?
Ambasadorja Huber: Në këtë fazë të tanishme, projekti po zgjeron modelet e suksesshme – mësimin e bazuar në punë, digjitalizimin dhe partneritete më të forta biznesi – në më shumë institucione profesionale dhe kompani në të gjithë Shqipërinë.
Një element unik i projektit Aftësi për Punë është puna në nivel kombëtar me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencinë Kombëtare për AFP dhe Kualifikim (NAVETQ) dhe Agjencinë Kombëtare për Punësimin dhe Aftësitë (NAES). Kjo është duke nxitur ndryshim sistematik në arsimin profesional dhe duke siguruar që politikat e AFP-së në vend të jenë të përshtatshme. Kjo nga ana tjetër do të sigurojë që programet e AFP-së të jenë praktike, gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me nevojat e tregut të punës.
S4J po punon ngushtë gjithashtu me projektin tonë të Zhvillimit të Aftësive për Punësim (SD4E), të zbatuar nga UNDP për të integruar këto risi në sistemin arsimor. Duke forcuar menaxhimin institucional, duke përmirësuar cilësinë e arsimit dhe duke rritur përfshirjen e sektorit privat, ne po krijojmë një kornizë të qëndrueshme që do të vazhdojë të sjellë përfitim për të rinjtë përtej kohëzgjatjes së projektit.
ATSH: Si mendoni se do të ndikojë kjo marrëveshje në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të fuqisë punëtore midis dy vendeve?
Ambasadorja Huber: Ajo do të përmirësojë më tej fuqinë punëtore të Shqipërisë, e cila është thelbësore për një rritje të qëndrueshme. Zvicra dhe Shqipëria ndajnë një partneritet të fortë në zhvillimin ekonomik dhe punësimin, me arsimin profesional si nismën tonë flamurtare. Jemi krenarë që shohim Shqipërinë të zhvillojë sistemin e vet të AFP-së duke marrë frymëzim nga modeli zviceran i AFP-së së dyfishtë që kombinon mësimin teorik me trajnimin praktik.
ATSH: Java Kulturore Zvicerane, cilat janë aktivitetet në kuadër të kësaj jave dhe si prezantohet kultura zvicerane në Tiranë?
Ambasadorja Huber: Sapo po përmbyllim një javë kulturore shumë interesante dhe të suksesshme. Por nuk ishte java tipike kulturore siç organizohet zakonisht nga ambasadat. Ne e bëmë atë ndryshe: Java e Kulturës Zvicerane u fokusua në veprat e artistëve dhe grupeve kulturore vendas, shqiptarë. E përbashkëta e tyre ishte mbështetja nga Fondi i Kulturës Zvicerane. Do të kemi mundësi të tjera për të shfaqur kulturën zvicerane, por në këtë kohë kemi dashur të ekspozojmë projekte kulturore nga artistë të pavarur shqiptarë.
Një tjetër element unik i Javës Kulturore Zvicerane ishte ndërthurja e artit me dialogun dhe slogani i saj është “Dialog përmes kulturës”. Është më shumë se një festë artistike; është një platformë për shkëmbim dhe diskutim. Të gjitha aktivitetet kishin një temë apo çështje me vlerë dhe të rëndësishme për shoqërinë shqiptare. Për shembull, disa aktivitete trajtuan temën e ballafaqimit me të shkuarën, përfshirë një koncert me kompozime origjinale të Mardit Lleshit që e çojnë dëgjuesin në një përvojë muzikore të të jetuarit nën regjimin totalitar komunist, apo dokumentari “Në parajsën socialiste (nuk bie shi)”, i Ermela Telit, që trajton temën e propagandës në art dhe rolin e saj të rëndësishëm politik.
ATSH: Kultura është një urë e fuqishme për të afruar kombet. Si mund të ndikojë ky lloj shkëmbimi kulturor në lidhjet e ardhshme ndërmjet dy popujve? Si e shihni ndikimin e aktiviteteve kulturore si kjo ngjarje në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Zvicrës?
Ambasadorja Huber: Kultura kontribuon në zhvillim, demokraci dhe paqe. Ne jemi të privilegjuar të mbështesim skenën e pavarur kulturore të Shqipërisë që nga viti 2017 përmes Fondit të Kulturës Zvicerane, duke ushqyer krijimtarinë e saj, duke përforcuar zërat e saj, dhe në fund duke forcuar rolin e saj si një katalizator për ndryshim.
Dhe po, kultura gjithashtu i afron kombet dhe ne kemi parë lidhje më të forta midis dy vendeve tona përmes shkëmbimeve kulturore. Ne shpesh promovojmë artistë dhe aktivitete kulturore – qofshin zviceranë apo shqiptarë – me synimin për të rritur kontaktet dhe mirëkuptimin mes njerëzve.
ATSH: Si mund të kontribuoni për ndihmën e Shqipërisë në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe turizmit përmes këtyre ngjarjeve kulturore?
Ambasadorja Huber: Është pjesë e politikave tona që të forcojmë një sektor të pavarur kulturor, sepse ai luan rol thelbësor në kohezionin social, lirinë e shprehjes dhe në ndërtimin e besimit. Për më tepër, me rritjen e sektorit të turizmit, bëhet më e rëndësishme që të kesh një sektor kulturor solid dhe të gjallë. Turistët duan më shumë sesa thjesht të shkojnë në plazhet e bukura të Shqipërisë: ata duan të zhyten dhe të përjetojnë kulturën dhe trashëgiminë e pasur lokale të vendit.
ATSH: A do të ketë ngjarje të tjera kulturore dhe artistike të Zvicrës që do të organizohen në Shqipëri në të ardhmen, për të pasuruar më tej marrëdhëniet tona kulturore dhe turistike?
Ambasadorja Huber: Po, gjatë gjithë vitit do të bashkëpunojmë me ambasada të tjera për javët e gjuhës frënge, gjermane dhe italiane. Në fund të marsit planifikojmë të kemi dy koncerte të muzikantit zviceran Christian Tschanz.
ATSH: Lidhur me bllokimin e fondeve nga Zvicra për Shqipërinë ka qarkulluar në media një lajm për bllokimin e fondeve për vendin tonë?
Ambasadorja Huber: Nuk ka bllokim fondesh, është një ripërshtatje e buxheteve tona. Deri në vitin 2028 do të bëjmë një largim gradual të fondeve nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, ndërsa do të vazhdojë financimi nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike SECO përtej vitit 2028.
Parlamenti zviceran vendosi për reduktime buxhetore që nxiten nga situata financiare në Zvicër, konteksti më i gjerë global përfshirë luftën në Ukrainë dhe nevojat aktuale në disa vende. Në projektet tona në vazhdim deri në vitin 2028 ne ende mund të zbatojmë shumë aktivitete dhe të arrijmë rezultate të rëndësishme. Ky reduktim gradual shkon në hap me përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.
ATSH: Për çfarë projektesh dhe sektorësh do të kanalizohen fondet nga Zvicra?
Ambasadorja Huber: Programi ynë aktual i bashkëpunimit për zhvillim është ka një vëllim prej afro 28 milionë euro në vit dhe mbështet demokratizimin, zhvillimin ekonomik, shërbimet e infrastrukturës dhe shëndetësinë. Pas vendimit të parlamentit zviceran, ne do të ripërshtatim programin në Shqipëri dhe do të fokusohemi në fushat që do të mbështeten pas vitit 2028: stabiliteti makroekonomik, mjedisi i biznesit, shërbimet e infrastrukturës, rritja e sektorit privat dhe ndryshimet klimatike (agjenda e gjelbër).
ATSH: Si e shihni rolin e Zvicrës në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të kushteve sociale në Shqipëri, veçanërisht në kuadër të përdorimit të këtyre fondeve?
Ambasadorja Huber: Zvicra mbetet e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit deri dhe pas vitit 2028, veçanërisht përmes instrumenteve të bashkëpunimit për zhvillimin ekonomik të financuara nga SECO, duke promovuar një rritje ekonomike miqësore ndaj mjedisit dhe klimës. Një pjesë e mbështetjes tonë është mjaft e dukshme dhe e prekshme, si në rastin e përmirësimeve në arsimin profesional ku shkollat ofrojnë një cilësi më të lartë dhe nxënësit janë më të përgatitur për punësim fitimprurës, ose në shërbimet shëndetësore dhe sociale, ku mbështetja jonë ndihmoi në përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe ngriti qendra sociale në nivel bashkie. Një lloj tjetër mbështetjeje është më pak e dukshme: institucione financiare më të forta, si në rastin e rritjes së kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë për politika monetare solide dhe kërkime. Zvicra e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm dhe angazhimi dhe mbështetja jonë vazhdon.
Fraksion.com