AktualitetPolitikëTë fundit

Shehaj publikon për Lapaj: Mori 4,5 milionë lekë nga kompania e sekuestruar nga SPAK

Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj deklaroi sot se  Adriatik Lapaj jo vetëm ka marrë para të pista, por arsyeja pse i ka marrë është dhe më e rëndë.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj publikoi dokumentet që sipas tij, tregojnë çfarë shërbimi i ka dhënë Lapaj kompanisë në hetim për pastrim parash nga SPAK.

“E para është kontrata e shitblerjes së një prone prej miliona euro në bregdet, midis kompanisë së akuzuar nga SPAK, pronarëve dhe Adriatik Lapajt. Lapaj merr përsipër regjistrimin e vendimit gjyqësor dhe nxjerrjen e certifikatës së pronësisë,” theksoi Shehaj.

E dyta, tha Shehaj, është një screenshot nga faqja e gjykatës që tregon se me këtë çështje është marrë vjehrri i Adriatikut, që në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës.

“Ky është një teatër i madh. Është një mashtrim i madh që ka një regjisor, që është Edi Rama. Ky sistem i korruptuar dhe i kalbur e ka ngritur Adriatik Lapajn në piedestal. I ka hapur dyert e mediave, e ka financuar dhe e ka mbrojtur.  Duan të çojnë në Parlament njerëz të kapur dhe të kapshëm. Të kompromentuar. Nuk duhet të dorëzohemi! Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë dhe të pa shantazhueshme,” tha Shehaj.

Ndërkohë që drejtuesi i partisë “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj duke iu përgjigjur akuzave të Shehajt, tha në një postim në rrjetet sociale se “ato janë para që kjo kompani ia ka borxh nga puna e tij si avokat”.

“Dokumenti në fjalë është bilanci publik sipas ligjit i një kompanie private që tregon se i ka detyrim personit fizik avokat Adriatik Lapaj 4,5 milion lekë. Në fakt, mua më kanë borxh shumë kompani e persona që i kam përfaqësuar si avokat. E dyta, nuk kam marrë 4,5 milionë, kompania që citon ti m’i ka borxh për punën si avokat,” theksoi Lapaj.

Lapaj sqaron se “kompania në fjalë nuk është e sekuestruar nga SPAK. Gënjeshtra jote e tretë. Administratori saj është nën hetim. Halli i vet. Shërbimi im si avokat është për kompaninë afro 2 vite para se administratori saj të merrej nën hetim. Kontrata është me kompaninë dhe jo për punët e Administratorit”.

“Ti Agron për politikë nuk paske limite, por përballë ke një njeri të ligjit! Tani, o unë do dënohem nga gjykata për bashkëpunim me krimin e organizuar o ti do dënohesh për shpifje,” tha Lapaj.