AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Turistët lanë 4,8 miliardë dollarë në Shqipëri në vitin 2024

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në Shqipëri pesha e turizmit për vitin 2024 vlerësohet 26% e PBB-së.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy”, kreu i qeverisë iu përgjigj pyetjes së disa qytetarëve për turizmin.

Rama publikoi raportin për Shqipërinë nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe i udhëtimeve, një institucion ndërkombëtar tërësisht i pavarur që prodhon raporte për të gjithë botën dhe që i referohen të gjitha shtetet.

“Në Shqipëri pesha e turizmit për vitin 2024 vlerësohet 26% e PBB-së. Punësimi që gjeneron sektori i turizmit në Shqipëri është 21,8% e totalit”, u shpreh Rama.

Sipas raportit, theksoi Kryeministri, “në Shqipëri rritja vlerësohet 7,7% kundrejt vitit të mëparshëm dhe 47,5, thuajse 50%, thuajse dyfish kundrejt vitit 2019, këtu në këtë “Somalinë tonë”, siç thoni ju”.

Sa i përket punësimit në sektorin e turizmit, Kreu i Ekzekutivit nënvizon se është rritur me 14,1% krahasuar me vitin para pandemisë, sepse të gjitha matjet në sektorin e turizmit, të gjitha këto organizma i bëjnë në periudhën para dhe pas pandemisë”.

“Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri në vitin 2024 vlerësohen 4,8 miliardë dollarë ose rreth 4,5 miliardë euro, të ardhura nga ata që vijnë këtu. Dhe këto 4,5 miliardë euro ata i lënë këtu. Rritja 54,7%. Pra një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me vitin, nivelin para pandemisë”, theksoi Rama.

Ndërsa, shtoi kreu i qeverisë, “shpenzimet e turistëve vendas, pra të shqiptarëve që bëjnë pushime në Shqipëri, këtu ku “vdiset për bukë dhe ku të gjithë vriten rrugëve”: 980 milionë dollarë, ose 950 milionë euro i harxhojnë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ata që sipas disave këtu “nuk kanë bukë të hanë””.

“Shpenzimet nga turistët e huaj, ata që vijnë pra, 82% e totalit. Shpenzimet nga ata që lëvizin brendapërbrenda Shqipërisë gjatë gjithë vitit, se lëvizin gjatë gjithë vitit, se prandaj në vijimësi shërbimet janë të gjitha në këmbë etj., janë 18%. Të punësuarit në sektorin e turizmit: 278 mijë”, u shpreh Rama.

“Më the, ai turizmi yt 2-3-mujor, a thua është 2-3-mujor?”, iu drejtua kryeministri Rama qytetarit.

“Në janar të 2024-ës: 490 mijë vizitorë dhe turistë. Në shkurt të 2024-ës: 480 mijë, në mars të 2024: 564 mijë, në prill të 2024-ës: 794 mijë, në maj të 2024-ës: 973 mijë, në qershor të 2024-ës: 1,2 milionë. Normal fillon sezoni intensiv, siç e ka gjithë bota nuk e kuptoj pse duhet të jetë ndryshe këtu dhe pse iu duket ndryshe atyre që këtu nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, përveç se ta pikturojnë Shqipërinë si Somali, siç e tha dikush, dhe po i qëndroj asaj. Korrik i 2024-ës: 1,8 milionë; gushti: 2,1 milionë; shtatori: 1,2 milionë, “turizmi 2-3-mujor”; tetori: 760 mijë; nëntori: 547 mijë dhe dhjetori: 654 mijë”, tha Rama.

Pra, shtoi Rama, “siç e shikoni, kemi të bëjmë me një industri që është krijuar këtu në këtë “Somalinë tonë”. Një industri që sjell 4,5 miliardë të ardhura nga ata që vijnë këtu nga jashtë”.

Rama u shpreh se kjo është një lëvizje e tërë ekonomike.

“Janë ata që prodhojnë ushqim, janë ata që prodhojnë gjithfarëlloj gjërash dhe janë ata që bëjnë gjithfarëlloj shërbimesh për këta thuajse 12 milionë njerëz që kalojnë këtu, që nuk janë natyrisht të gjithë turistë që rrijnë këtu etj., por janë masivisht turistë që rrijnë dhe shpenzojnë këtu. Dhe nga kjo ka ardhur edhe rritja e pagave në sektorin e turizmit”, u shpreh Rama.

“Prandaj, iu them atyre që janë në Greqi: Hajdeni këtu, çfarë bëni më në Greqi nëpër hotele, nëpër restorante, nëpër shërbimet e turizmit, çfarë bëni në Greqi? Hajdeni këtu, sepse është më mirë këtu në fund të ditë, pasi muaji atje vërtetë mund t’ju duket se keni më shumë, megjithëse në shumë profile nuk ka më shumë as në dukje. Po taksat, po transporti, po qiraja, po të tjerat? Ndërkohë që këtu jeni në shtëpinë tuaj dhe atyre që flasin për qiratë u them: Po, është e vërtetë, janë rritur, por ama jemi vendi me numrin më të madh të shtëpive-pronë, 94% i kemi pronë. Po të shikoni Evropën Perëndimore është shumë më pak natyrisht”, tha Rama.

 

Fraksion.com