“Me gjuhën që përdor ke dalë nga shinat e njerëzores”, Rama-qytetarit për ‘kënetën dhe Buf i stërplakur’: Po i përcaktoj sipas asaj që më ka mësuar Noli, Frashëri e Fishta
Kreu i qeverisë Edi Rama iu përgjigj një tjetër komentuesi në lidhje me gjuhën e përdorur kundër opozitës, të cilën e konsideron kënetë dhe kreun e PD, Sali Berisha të cilin e ka quajtur buf i stërplakur.
Në rubrikën “Sy m’sy” kryeministri Edi Rama u është përgjigjur mëngjesin e sotëm pyetjeve dhe komenteve të adresuara në platformat sociale nga qytetarët.
Një prej komenteve kishte të bënte me “varfërinë në vend”. Kreu i qeverisë tha se është një pakicë ajo që thotë se jemi më keq se Somalia, ndërsa theksoi se atyre që besojnë këtë version u është çarë daullja e veshit nga bretkosat e kënetës opozitare.
“Mos ta ekzagjerojmë, sepse ata që i shprehin këto kulme: “Jo, Somalia, jo, s’ka bukë, jo, s’ka ujë, s’ka drita, jo s’ka kush”, janë një pakicë e cila do të bëjë edhe ajo të vetën, dhe mirë që i kemi dhe ata, se përndryshe çfarë kuptimi do të kishte jeta demokratike dhe pluralizmi i opinioneve, edhe pse shumë prej tyre janë të shurdhuar, pasi iu është çarë daullja e veshit duke dëgjuar zhabat dhe bretkosat e kënetës opozitare ku mbretëron një buf stërplak që mori në qafë tërësisht mendimin dhe opozitarizmin në Shqipërisë. Gjithsesi, kjo është zgjedhje e tyre që gabojnë dhe gjithsekush ka të drejtë që të gabojë”, u shpreh Rama.
Për gjuhën ndaj opozitës, duke iu përgjigjur një qytetari i cili i tha se: “Po del nga shinat e karakterit njerëzor” dhe “po bëhesh i neveritshëm, kënetë, kënetë…”, Rama tha se nuk po ofendon askënd.
“Po, kënetë dhe nuk po shaj askënd, nuk po i them askujt kriminel, hajdut, drogaxhi, etj., etj., sepse kjo është të dalësh nga shinat e njerëzores, por po e përcaktoj një fakt dhe po e përshkruaja atë siç ma kanë mësuar mësuesit e gjuhës shqipe që janë Fan Noli, At Gjergj Fishta, Faik Bej Konica. Nga ata e kam mësuar unë shqipen i dashur Lekë Gjonaj. Të paktën At Gjergj Fishtën të sugjeroj ta lexosh që të shohësh edhe si duke qenë prift katolik njeri i mëshirës kristiane nuk ia kursen dajakun e gjuhës shqipe atyre që duan dajak, por pa shkuar tek ofendimi personal, akuzat penale, pa kriminalizuar me gojë njerëzit, duke qelbur gjithë ajrin e përbashkët që thithin dhe duke ia nxirë shqiptarëve përditë e përditë: kriminelë, kriminelë, hajdutë, hajdutë! Kjo është këneta!”, u shpreh Rama.