AktualitetTë fundit

“Gripi – sëmundje shtëpie”, Brataj: 85% e të prekurve asimptomatikë

Kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha sot se situata e gripit në vend është në pikën e vet kulmore.

Nga vizitat ditore në qendrat ambulatore të lagjeve, te rastet urgjente apo ato që përfundojnë me shtrime në spital, Brataj bëri një “skaner” të situatës aktuale të gripit që prek të gjitha grup-moshat, por sidomos grupet e riskut: fëmijët e vegjël, të rritur me sëmundje bashkëshoqëruese dhe moshat mbi 65 vjeç.

Brataj u shpreh se nuk ka vend për panik, pasi muaji shkurt përkon me një periudhë normale gripi.

“Gjendjet febrile te pacientët kanë njohur rritje këtë vit, nëse do ta krahasojmë me dy vitet e kaluara. Sipas të dhënave të organizatave kryesore të shëndetësisë në botë, por edhe sipas ISHP-së, krahasimisht me dy vitet e kaluara, në vend rezultojnë 23 mijë raste gripi. Ndërsa, në javën e parë të vitit kemi pasur 17 mijë raste me grip, javën e dytë 19 mijë raste dhe aktualisht jemi në 23 mijë raste në javë. Nga vizitat në Urgjencën Kombëtare 10-15 janë shtrime në spital nga gripi”, tha ai.

Kreu i Urgjencës Kombëtare tha se gripi është një sëmundje shtëpie, ndërsa 85% e të prekurve nuk shfaqin asnjë simptomë.

“Kujdesi duhet të fillojë nga shtëpia, por nëse ka rikthim të temperaturës së lartë pas disa ditëve, nëse ka kollë persistente, dhimbje fyti, temperaturë që zgjat te të rriturit 5-7 ditë, ndërsa te fëmijët mbi 10 ditë, duhet folur me mjekun e familjes dhe mjekët e QSUT-së përmes telefonit për disa këshilla më të specializuara. Nga përdorimi i antiinflamatorëve, te dozimi, te shtimi i lëngjeve dhe higjiena etj. Vitaminat B, C nuk duhet të mungojnë, pasi janë mënyra më e mirë për të forcuar imunitetin, që këtë periudhë bëhet edhe më i predispozuar ndaj sëmundjeve apo virozave të stinës”, theksoi Brataj.

Sipas tij, në vend qarkullojnë disa lloj virusesh, nga gripi A, AH1, AH3, gripi B, RSV dhe në përqindje më të ulët COVID-19.

“Format e lehta të gripit trajtohen në shtëpi. Nëse ka temperaturë për 2-3 ditë, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, duhet distancim nga vendet me shumë njerëz. Qëndrim në shtëpi me çajra të ngrohtë dhe antiinflamatorë. Nëse temperatura e lartë rikthehet, ka vështirësi në frymëmarrje apo dhimbje trupi, ndiqet protokolli mjekësor përmes mjekut të familjes, më pas me mjekun specialistë dhe ata të QSUT-së për trajtim më të detajuar”, deklaroi Brataj.

 

Fraksion.com