Çoi drejt vetëvrasjes bashkëshorten dhe rrihte fëmijët: Gjykata e Durrësit dënon me 10 vjet burg Xhemal Lokën
Gjykata e Durrësit ka dënuar me 10 vjet burg Xhemal Lokën, bashkëshortin e Bedrie Lokës. Gruaja bëri vetëvrasje, ndërsa Gjykata në vendimin e saj thekson se ajo dhunohej nga bashkëshorti. Fillimisht u dyshua se Bedrie Loka kreu vetëvrasje për shkak të postimeve bullizuese në TikTok.
Gjithashtu, Xhemal Loka akuzohet se ushtronte dhunë edhe ndaj fëmijëve, ndërsa ndaj tij ka nisur edhe një hetim i ri.
Gjykata refuzoi kërkesën e autorit për gjykim të shkurtuar.
Njoftimi i Gjykatës së Durrësit
Gjyqtari i çështjes- Sh.Liçaj.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata me Vendimin Nr. 7499, datë 19.12.2024, ka Vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.L për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh. L.për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimi i dënimeve në një të vetëm, duke e dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vite burgim.
4. Vuajtia e dënimit të filloj nga data e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
5. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
6. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal-Një armë zjarri automatike PPS me nr.89-0579; të kaloj në favor të shtetit pasi vendimi të marrë formë të prerë.
7. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal vlerat monetare 2800 (dymijë e tetëqind) Euro dhe 27’000 (njëzet e shtatë mijë) lekë, t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
8. Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Durrës, sot më datë 19.12.2024.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm.
Fraksion.com