Skema e pensioneve, Gonxhja: Lufta antiinformalitet rriti me 47,3 % numrin e kontribuesve
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se qeveria po punon për të udhëhequr transformimin ekonomik drejt një modeli nga i cili përfitojnë të gjithë, me fokus të veçantë tek shtresat në nevojë dhe pensionistët.
Në konferencën ndërkombëtare mbi të ardhmen e sistemit të pensioneve në Shqipëri, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, ministri Gonxhja tha se falë luftës sistematike antiinformalitet e ritmit pozitiv të zhvillimit ekonomik në vend, numri i kontribuesve është rritur me 47,3% duke arritur në 826 928 kontribues nga 561 169 kontribues në vitin 2013.
“Kjo është një sfidë që lidhet me reformimin e tregut të punës, me luftën ndaj informalitetit të çdo forme, me mentalitetin tonë, me lindshmërinë e ulët, me kushtet dhe kostot e jetesës, me aksesin e biznesit në financë dhe investimet, me migracionin, me inovacionin dhe konkurrueshmërinë, me edukimin profesional, me teknologjinë dhe modernizimin e shërbimeve, e deri te integrimi kulturor e kohezioni social, pra me rimodelimin dhe riinxhenierimin e ekonomisë sonë”, deklaroi ministri.
Sipas tij, reforma e skemës apo e sistemit të pensioneve të një vendi, kërkon përgjegjësimin e tërë hallkave të shtetit, ekspertëve dhe mbarë shoqërisë.
“Në vitin 2014, edhe me asistencën e Bankës Botërore, kjo qeveri ndërmori reformën më të thellë dhe më domethënëse të pensioneve dhe ndonëse sot ne jemi të ndërgjegjshëm se suksesi i jashtëzakonshëm i saj nuk mundej dot të kënaqte çdo pensionist, duhet të jemi të sigurt se pa atë reformë situata e pensioneve do të kishte shkuar shumë shumë më keq”, deklaroi ministri.
Në vitin 2013, theksoi ministri, skema e pensioneve kishte vetëm 561169 kontribues dhe edhe mes tyre informaliteti ishte jashtë mase i lartë.
“Të ardhurat nga kontributet ishin vetëm 4.7% e PBB dhe deficiti i skemës ishte 1.35% e PBB. Sa i përket masës së pensionit, ajo mbahej ekstremisht e ulët nga dy tavanet që aplikoheshin: i pari, që pensioni maksimal s’mund të ishte më i lartë se dyfishi i pensionit bazë dhe i dyti që pensioni s’mund të ishte më i lartë se 75% e pagës neto të 3 viteve me pagën më të ulët në 10 vitet e fundit. Dhe përfituesi merrte atë që dilte më i ulëti ndër këto 2 tavane”, tha Gonxhja.
Sot, vijoi ministri, falë meritës kryesore të reformës së vitit 2014, që i dha fund demotivimit dhe humbjes së interesit për të kontribuuar, si edhe falë luftës sistematike antiinformalitet, informatizimit dhe digjitalizimit, punës për shtetin ligjor dhe ritmit pozitiv të zhvillimit ekonomik në vend, numri i kontribuesve është rritur me 47.3% duke arritur në 826,928 kontribues.
“Të ardhurat nga kontributet janë rritur me 43.1%, duke arritur në 6.73% e PBB dhe deficiti është reduktuar me 59% duke arritur në 0.63% e PBB”, u shpreh Gonxhja.
Shqipëria, tha ai, është sot në momentin më të mirë ekonomik dhe reputativ që pas rënies së komunizmit.
Vendi, sipas tij, është më pranë se kurrë integrimit në BE dhe përparimi i viteve të fundit, i nxitur nga turizmi dhe ndërtimi, po e shndërrojnë Shqipërinë në një vend tërheqës, lider rajonal.