AktualitetTë fundit

“Rezultat i pa shënuar që nga viti 1989”, Proda: Gjatë vitit 2024 në qarkun e Elbasanit asnjë vrasje

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda mori pjesë në analizat vjetore të punës në drejtoritë vendore të Policisë Elbasan dhe Korçë.

Gjatë analizave, Proda vlerësoi punën e këtyre strukturave për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe angazhimin e tyre maksimal për përballimin me sukses të sezonit turistik veror.

Proda gjithashtu vlerësoi punën profesionale hetimore të këtyre strukturave policore, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë së grupeve kriminale.

Proda përgëzoi strukturat e Policisë së qarkut Elbasan, sepse rritja e forcës policore parandaluese mundësoi që gjatë vitit 2024, në këtë qark të mos kishte asnjë vrasje. Ky rezultat nuk ishte shënuar në këtë qark që nga viti 1989.

Gjithashtu, përgëzoi Policinë e Korçës për hetimet profesionale që rezultuan me zbardhjen e të dyja vrasjeve të kryera në këtë qark, gjatë vitit 2024, si dhe vlerësoi angazhimin e Policisë Kufitare të Korçës, për përballimin e fluksit në PKK-të Kapshticë dhe Qafë Thanë, si dhe për goditjen e një sërë krimesh kufitare.

Proda u ndal në disa aspekte të punës policore dhe kërkoi përmirësim të parametrave gjatë vitit 2025, në drejtim të policimit në komunitet, me qëllim që inspektorët e Policisë së Rendit, patrullat e përgjithshme dhe çdo punonjës policie, të jenë më afër qytetarëve, të kenë në kontroll situatën kriminale dhe shtetasit me precedentë penalë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Proda theksoi se goditja e armëmbajtjes pa leje, parandalimi i krimeve ndaj jetës dhe pronës, goditja e trafiqeve të paligjshme, parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike dhe shpërndarjes së tyre, si dhe ndjekja në dinamikë e të gjitha problematikave dhe shqetësimeve të adresuara nga qytetarët, janë prioritare për t’u përmirësuar akoma më tej gjatë vitit 2025.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga të gjitha strukturat policore të jenë të baraslarguara nga subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore.

“Punonjësit e Policisë duhet të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe detyrimet që burojnë prej tij, duke garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve elektorale, për sa i përket punës së Policisë së Shtetit, e cila ka vetëm një detyrë, të garantojë rendin dhe sigurinë dhe të zbatojë ligjin. Cilido punonjës policie që do të konstatohet se nuk do të zbatojë këto detyrime që rrjedhin nga ligji për Policinë e Shtetit, do të largohet pa asnjë hezitim nga radhët e Policisë së Shtetit”, tha ai.

Në analiza morën pjesë edhe prokurorët respektivë të Korçës dhe Elbasanit, të cilët vlerësuan punën e strukturave të Policisë dhe bashkëpunimin me to, si dhe premtuan mbështetje për Policinë në kërkesat për të çelur hetime proaktive, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie që cenon jetën dhe pronën e qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda falënderoi prokurorët respektivë të Elbasanit dhe Korçës, si dhe të gjithë përfaqësuesit e agjencive ligjzbatuese, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe inkurajimin e Policisë së Shtetit në luftë ndaj krimit.

Ai theksoi se bashkëpunimi i Policisë me agjencitë ligjzbatuese në Elbasan është model për t’u ndjekur edhe nga drejtoritë vendore të tjera.

Ky bashkëpunim prodhoi rezultate konkrete në luftë kundër krimit, më shumë besim të qytetarëve te institucionet e zbatimit të ligjit, si dhe më shumë rend e siguri.


Fraksion.com