AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për mandatin e katërt: Shqiptarët iu besojnë atyre që kanë më shumë për të dhënë

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot një komentuesi në rrjetet sociale, sipas të cilit Partia Socialiste nuk duhet të kërkojë mandatin e katërt, pasi koha e gjatë në pushtet të konsumon.

Duke iu përgjigjur komentuesit, Rama solli në vëmendje rastin e Gjermanisë dhe Holandës ku të njëjtat forca politike kanë qëndruar në pushtet për katër mandate radhazi.

“Budallenj ishin vëllezërit tanë gjermanë që mbajtën katër mandate, jo një, por dy kancelarë në një periudhë kohe të paktën 30 vitet e fundit? Budallenj ishin apo janë holandezët që e kishin katër mandate kryeministrin? Kjo nuk ka lidhje fare me sistemin e senatit, kjo ka lidhje me vullnetin nga njëra anë se kujt i besojnë shqiptarët, se ka akoma për të dhënë. Është populli që vendos se kush nga ata që kërkojnë votën e meriton votën. Mos bini pre e kurtheve me senate e budallenj. Nëse ka diçka që është gabim shumë i madh është që ky popull është budalla. Ky popull të jep ujë në bisht të lugës kur vjen puna për politikën,” tha Rama.

Rama iu përgjigj po ashtu edhe një komentuesi që pretendon se po vidhen paratë e shqiptarëve.

“Shumë banale, se si mund të thuash po vjedh të ardhurat e popullit?! Po mbi çfarë baze mund të thuhet kjo?! Apo sepse është një pjesë fatkeqësisht e atyre që janë në mexhelisin tonë publik që nuk dinë gjë tjetër përveçse të ndërtojnë fjali të tilla dhe të batërdisin mendjen e miletit. Po vjedh të ardhurat e popullit… Jo, fare. As nuk di çfarë thua dhe as nuk ke asnjë lidhje pse unë jam këtu dhe me çfarë merrem, duke u zgjuar i pari dhe rënë në gjumë i fundit,” tha Rama.

Sipas tij, “asnjë qeveri në historinë e botës nuk bën gjë tjetër përveçse administron të ardhurat nga taksat apo burimet e tjera për të bërë punë të mira për vendin”.

“Qeveritë dallohen se kush bën më shumë punë të mira me ato para që administron,” shtoi ai.

 

Fraksion.com