AktualitetTë fundit

Ndërron jetë papritur Dervishi i Teqesë së Alipostivanit në Përmet, Hekuran Nikollari

Ndërron jetë Hekuran Nikollari, dervishi i Teqesë në Alipostivan në Përmet.

Gazetarja Brikena Metaj raporton se trupi i pajetë është dërguar orët e para të mëngjesit në morgun e spitalit të Gjirokastrës ku po kryhet edhe ekzaminimi nga mjeku ligjor.

Dyshimet e para janë që dervishi Nikollari ka ndërruar jetë si shkak i një infakti. Ai ka kryer një ndërhyrje para disa vitesh për heqjen e dhjamërave dhe një ndërhyrje të dytë në zemër, ku ka vendosur edhe një unazë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Teqeja e BABA ALIUT – Alipostivan, Përmet, ku në një postim në rrjetet sociale, shkruhen edhe detaje nga ceremonia mortore.

Postimi:

Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen e parakoheshme nga jeta të njeriut të shenjtëruar, Baba Hekuran Nikollari.
Homazhet do të mbahen në Teqenë e Baba Aliut, Alipostivan, Përmet, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet më 6 Shkurt, ora 12:00.
Baba Hekuran Nikollari – Dritë që nuk do të shuhet kurrë
Baba Hekuran Nikollari ishte dhe do të mbetet një dritë udhërrëfyese për brezat që kanë kaluar dhe ata që do të vijnë. Me përkushtim të jashtëzakonshëm, ai shërbeu për vite të tëra në Teqenë e Baba Aliut në Alipostivan, duke e bërë atë një strehë të dashur dhe të bekuar për mijëra besimtarë, shërbeu dhe ndërtoi Teqenë e Frashërit, Teqenë e Përmetit dhe shumë teqe të tjera në jug të Shqipërisë, duke lënë një trashëgimi të vyer dhe të paharruar.
Njeri i urtësisë dhe paqes që fjalën e tij të mençur, ja tha çdo njeriu që e takoi. Baba Hekurani dha mirësi dhe hapi dyert e Teqesë për këdo që kërkoi mbështetje, ngushëllim apo fjalën e ngrohtë.
Baba Hekurani u bë baba dhe vëlla për çdo besimtar që trokiti në portën e Teqesë. Me thjeshtësi dhe përkushtim, ai e lartësoi edhe më tej emrin e këtij vendi të shenjtë, duke e bërë atë një vatër të mirësisë dhe begatisë.
Baba Hekurani nuk ishte thjesht një njeri i fesë; Fjalët e tij ishin dritë, hapat e tij ishin bekim, dhe prania e tij ishte paqe, përcolli me urtësi dhe dashuri mesazhin e besimit, harmonisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin, duke lënë pas një punë dhe trashëgimi që do të jetojë përjetësisht në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.
Faleminderit, Baba Hekuran!
Faleminderit për dritën që dhe, për bekimin që shpërndave, për shembullin e ndritur që lë pas. Ti nuk ike, por u bëre dritë që do të ndriçojë gjithmonë këtë vend dhe çdo zemër që pati fatin të të njohë.
Të ndriçoftë shpirti në përjetësi! 🤲

 

 

Fraksion.com