Celibashi: I kemi kërkuar Kuvendit të miratojë buxhetin për fushatën zgjedhore
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për shtyp sot me gazetarët bëri të ditur se i ka kërkuar Kuvendit që të miratojë buxhetin për fushatën zgjedhore.
“I kemi kërkuar Kuvendit që sa më parë të miratojë buxhetin për partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje. Me siguri ky buxhet do t’u vihet në dispozicion subjekteve zgjedhore më para fushatës, pasi ky buxhet u është vënë në dispozicion në zgjedhjet e mëparshme shumë pak ditë para nisjes së fushatës, ose në ndonjë rast edhe kur fushata kishte filluar,” tha Celibashi.
Celibashi tha më tej se “do t’i dërgojmë dhe një propozim për Kuvendin e Shqipërisë që ka të bëjë me ankimin ndaj vendimit për mospërfshirjen në listën e zgjedhësve të votuesve nga jashtë, kur është rasti, ankim i cili sipas asaj që parashikon Kodi sot është i pamundur të realizosh, dhe i propozojmë Kuvendit që kjo dispozitë të ndryshojë, duke i mundësuar atyre votuesve që do të jenë në të drejtën e tyre, për t’u ankuar ndaj KQZ edhe nëpërmjet një platforme online. Do t’ia dërgojmë sot Kuvendit të Shqipërisë për këtë çështje”, u shpreh ai.
“I kemi propozuar edhe të ndryshojë atë aspekt të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me procedurat e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit, por për të qenë realist kjo nuk është një çështje kaq shqetësuese,” tha më tej kryekomisioneri.
Duke folur për fletën e votimit, Celibashi tha se pas muajit mars do të bëhet printimi i fletëve të votimit.
“Më 4 mars përfundon procesi i aplikimit dhe më 9 mars do të kemi listën e votuesve nga jashtë, më 24 mars përfundon procesi i paraqitjes së kandidatëve për deputetë dhe mendojmë se pas muajit mars të bëhet printimi i fletës së votimit dhe dokumentacioni tjetër zgjedhor”, tha Celibashi.
I pyetur në lidhje me propozimin e PD-së për votimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë, Celibashi tha se nuk komenton propozime të partive politike.
“Nuk me takon të komentoj propozimin që partitë politike kanë me ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor. Nëse bien dakord ato për të ndryshuar elemente të ndryshme të Kodit Zgjedhor ne kemi detyrimin për t’i zbatuar. Komente nuk mund të japim, kemi hyrë në periudhë zgjedhore,” tha ai.
“Sistemi është ndërtuar për të identifikuar nëpërmjet dokumenteve të identifikimit të lëshuar nga Republika e Shqipërisë. Nëse do të duhet dhe nëse palët bien dakord që identifikimi do të duhet të bëhet nëpërmjet dokumenteve të tjera do të duhet të zhvillohet ky sistem ose një tjetër,” tha Celibashi.
Celibashi tha më tej se “votimin elektronik e kemi detyrim ligjor që një projekt pilot për ta bërë. Votim elektronik me mundësitë zgjedhore në një qark nuk do të zhvillohet”.
I pyetur për besueshmërinë e Platformës Elektronike e Regjistrimit, Celibashi tha se “nuk ka asnjë komunikim, asnjë lloj ndërveprimi të çdo lloj mënyre të platformës PER me të tretë me jashtë KQZ. Në mënyrë kategorike. Në një injorancë të plotë mbi teknologjinë, e merr për të sigurt që KQZ këto numra të telefonit ia jep filanit apo fistekut! Zero! Kushdo është i mirëpritur dhe të bëjë verifikimet në KQZ. Për çfarë duhet ta bëjmë këtë në shërbim të kujt. Ndaj këta me këto deklarime dëmtojnë procesin për të mos thënë që kanë një kostum politik me deklarime të tillë i bëjnë dëm votuesit të tyre”.
Fraksion.com