AktualitetNATO/BETë fundit

Udhëheqësit evropianë paralajmërojnë për luftën tregtare transatlantike

Udhëheqësit evropianë paralajmëruan të hënën se kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump, për të zgjeruar tarifat ndaj BE-së, rrezikon të çojë në një luftë tregtare që do të shkaktonte dëme ekonomike në të dyja anët e Atlantikut.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tha se nëse SHBA-ja dhe Evropa fillojnë një luftë tregtare “atëherë ajo që do të qeshet anash është Kina”.

“Ne jemi shumë të ndërlidhur. Ne kemi nevojë për Amerikën dhe Amerika ka nevojë për ne gjithashtu”, tha ajo, duke folur para një takimi joformal të udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Udhëheqësit e BE-së u mblodhën të hënën për të diskutuar se si të forcohet mbrojtja e kontinentit kundër Rusisë dhe si të trajtohet qasja e Presidentit Trump, i cili ka paralajmëruar 27 vendet e Bashkimit Evropian se janë në radhë pas vendimit të tij për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse ndaj Meksikës, Kanadasë dhe Kinës.

“Kjo do të ndodhë patjetër me Bashkimin Evropian. Mund t’ju them se ata kanë përfituar vërtet nga ne”, u tha Presidenti Trump gazetarëve të dielën, duke përsëritur ankesat për një deficit tregtar.

“Ata nuk na i blejnë makinat tona, nuk i blejnë prodhimet tona bujqësore. Ata nuk blejnë pothuajse asgjë dhe ne blejmë gjithçka prej tyre”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, foli me një ton më të kujdesshëm, duke u kërkuar BE-së dhe SHBA-së të punojnë së bashku.

“Është e qartë se si një zonë e fortë ekonomike ne mund të formojmë të ardhmen tonë dhe të reagojmë ndaj politikave tarifore… Por, perspektiva dhe qëllimi duhet të jenë që gjërat të çojnë në bashkëpunim”, tha ai.

Aksionet e prodhuesve evropianë të makinave ranë të hënën për shkak të shqetësimeve për ndikimin e tarifave.

Në ankesat e tij për bilancin tregtar me BE-në, Presidenti Trump është përqendruar vetëm në tregtinë e mallrave.

BE-ja ka eksportuar vazhdimisht më shumë mallra në Shtetet e Bashkuara sesa ka importuar dhe deficiti tregtar i mallrave në vitin 2023, ishte 155.8 miliardë euro, sipas të dhënave të Eurostatit.

Megjithatë, në shërbime, SHBA-ja kishte një tepricë të eksporteve mbi importet me Bashkimin Evropian prej 104 miliardë eurosh në vitin 2023./voa

 

Fraksion.com