Tarifa kundër BE-së? Liderët europianë me një zë kundër Trump: Do të reagojmë
Bashkimi Europian do të reagojë nëse interesat e saj goditen, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron pas kërcënimeve të homologut të tij amerikan, Donald Trump për tarifa ndëshkuese.
“Nëse sulmohen interesat tona tregtare, Europa, si një fuqi e vërtetë do duhet të respektohet, e kësisoj do të reagojë”, tha Presidenti francez pasi arriti në një takim informal për mbrojtjen me udhëheqësit e tjerë të shteteve në Bruksel.
Sipas tij, “zgjedhjet dhe deklaratat” nga administrata e re amerikane “po e shtyjnë BE-në të jetë më e bashkuar dhe më shumë aktive për t’iu përgjigjur çështjeve të sigurisë së përbashkët”.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se BE-ja është mjaftueshëm e fortë për të reaguar ndaj taksave tregtare amerikane. Megjithatë sipas tij, “qëllimi duhet të jetë që gjërat të bëhen në bashkëpunim”.
Edhe shefja për politikën e jashtme në BE, Kaja Kallas, tha se nuk do të ketë fitues në një luftë tregtare.
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë nga ana tjetër se Europa dhe SHBA-ja kanë nevojë për njëra-tjetrën. Sipas tij do ishte “tërësisht gabim” dhe duhet bërë çdo gjë që mundet për të ndaluar aleatët të zihen me njëri-tjetrin “përballë kërcënimit rus apo zgjerimit kinez”.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se Kopenhageni nuk do mbështesë luftën ndaj aleatëve, por “[nëse administrata Trump] do të vendosë tarifa të rënda në Europë, duhet një përgjigje e përbashkët dhe e fuqishme”.
Kujtojmë se së fundmi Trump vendosi tarifa mbi mallrat e importuara nga Kanadaja, Meksika dhe Kina. Të treja këto vende thanë se do përgjigjen reciprokisht. Ndërkohë të dielën mbrëma, Trump u shpreh se tarifat për BE “do të ndodhin padyshim”.
Fraksion.com