AktualitetPolitikëTë fundit

Kolegji i Europës në Tiranë, Rama: U përzgjodh Shqipëria, si histori suksesi

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria është vlerësuar si histori suksesi dhe ndaj u përzgjodh për ndërtimin e Kolegjit të Europës.

I pranishëm në përurimin e dy godinave në Qytetin Studenti, kryeministri u ndal te ndërtimi i Kolegjit të Europës.

“Në këtë qytet po ngrihet edhe Kolegji i Europës që është struktura e tretë pas atij të Bryzhit dhe atij në Poloni, që u ngrit për të mbështetur valën e parë të zgjerimit të BE-së. Dhe jo rastësisht u zgjodh Shqipëria dhe Tirana. Shqipëria është histori suksesi,” tha Rama.

Kryeministri u shpreh se me Kolegjin e Europës në këtë qytet, do të rritej prestigji i Qytetit Studenti që do të bëhet një destinacion i një kategorie tjetër në nivelin kombëtar dhe rajonal.

“Është për të ardhur keq që për shumëkënd thjesht se nuk duan qeverinë dhe kjo është tërësisht legjitime, por mjafton kjo për të mohuar faktin se Shqipëria, që është vendi i përbashkët i të gjithëve, është një histori suksesi. Është për të ardhur keq për faktin se nëse nuk e njeh këtë histori suksesi nuk kupton se si shumëçka që ka nevojë të përmirësohet mund dhe duhet të përmirësohet. Shumica këtë e kupton fare mirë. Kjo është edhe arsyeja pse jemi në një pozicion ku nga njëra anë kemi një besim të madh të njerëzve për të shërbyer dhe kemi nevojën e përditshme për t’u përmirësuar,” tha Rama.

Fraksion.com