AktualitetPolitikëTë fundit

Dy godina të reja në Qytetin Studenti, Rama: Po bëjmë pikë për pikë dhe presje për presje çdo gjë që kemi premtuar

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se “Qyteti Studenti, gjer më dje i rrënuar, po rilind me ambicie e punë të madhe, duke shtuar rrjetin e godinave të cilësisë më të lartë”.

Bashkë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Rama mori pjesë sot në përurimin e godinave 16 dhe 17 të konvikteve në Qytetin Studenti, të cilat tashmë janë me kushte bashkëkohore që nga dhomat e studentëve, sallat e leximit, internet falas etj.

Rikonstruksioni i tyre përfshin edhe rehabilitimin me eficiencë të energjisë elektrike.

Kryeministri vlerësoi se godinat e përuruara sot janë të pajisura nga dhomat e fjetjes me dushe e tualete më vete, sallat e leximit, hapësirat e gatimit dhe ngrënies në çdo kat, internet falas, sistem sigurie dhe lavanderi.

Ndërsa falënderoi edhe delegacionin e Bashkimit Europian dhe Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, kryeministri theksoi se po përgatitemi për zbatimin e projekteve të një sërë godinash të reja administrative, social-kulturore e sportive.

“Kthej pak kohën mbrapa dhe dua t’ju kujtoj se edhe pse protesta e studentëve, protesta shumë e madhe e studentëve e disa viteve më parë ka mbaruar me kohë, dhe mbase për shumë është harruar, ne vazhdojmë të punojmë duke qëndruar besnikë të gjithë angazhimeve të marra dhe për të bërë pikë për pikë dhe presje për presje çdo gjë që kemi premtuar,” u shpreh kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë tha se ky është një qytet që në bazën e vetë është trashëgimi e së shkuarës, por është po ashtu një qytet që duhet t’i shërbejë të ardhmes dhe duhet të ofrojë kushtet optimale, të njëjta me kushtet më të mira që janë në vendet e BE-së.

“Ky konvikt është një konvikt që në çdo vend të BE-së do të qëndronte me dinjitet në kategorinë A. Ka konvikte edhe në Paris, edhe në Londër, edhe gjetkë që janë 4 veta në një dhomë. Patjetër ka edhe konvikte me 2 veta në dhomë si këtu. Ka konvikte edhe në vendet e zhvilluara ku dushet janë të përbashkëta. Këtu çdo dhomë ka dushin e vetë”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, është një ambicie që me mundësitë që rriten çdo vit falë rritjes së ekonomisë dhe të ardhurave të bëhen gjëra që i qëndrojnë kohës për një periudhë të gjatë.

Fraksion.com