AktualitetRajoniTë fundit

Studentët serbë mbërrijnë në Novi Sad pas marshimit dyditor

Studentët serbë kanë mbërritur mbrëmjen e së premtes në Novi Sad, pas një marshi dyditor nga Beogradi, për të protestuar kundër shembjes vdekjeprurëse të një strehe në stacionin e trenit, e cila, sipas tyre, ndodhi si pasojë e korrupsionit.

Studentët protestues mbanin në duar kurora me emrat e 15 njerëzve që vdiqën nga shembja e strehës në stacionin e Novi Sadit më 1 nëntor.

Ata pritet të marshojnë së bashku me studentët e Novi Sadit nëpër rrugët qendrore të qytetit deri në stacionin e trenit, ku do të bëjnë homazhe për viktimat.

Më 1 shkurt, studentët nga Beogradi do të bashkohen me kolegët e tyre nga Novi Sadi për t’i bllokuar tri ura mbi lumin e Danubit.

Çiklistët nga Beogradi mbërrijnë në Novi Sad, më 31 janar 2025.
Çiklistët nga Beogradi mbërrijnë në Novi Sad, më 31 janar 2025.

Në këtë mënyrë, ata do ta shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 njerëzve nga shembja e strehës prej betoni.

Një grup tjetër studentësh, që ishin nisur nga Beogradi me biçikleta, mbërritën më herët në Novi Sad dhe u pritën nga çiklistët e Novi Sadit para stacionit të trenit.

Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.

Rruga e marshimit u sigurua nga rojet e studentëve dhe policia.

Kolona shoqërohej nga një ambulancë dhe një cisternë uji.

Ata u ndalën për pushim të enjten në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se pjesëtarë të kësaj ministrie do të ofrojë siguri për marshin e studentëve, duke i përcjell edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.

Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë, duke nxjerr në rrugë dhjetëra mijëra njerëz.

Në dy muajt e fundit, protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.

Qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre, duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat./REL

 

Fraksion.com