SHBA, Senati konfirmon Sekretarin e ri të Brendshëm, Doug Burgum
Senati amerikan konfirmoi të enjten të emëruarin e Presidentit Donald Trump për postin e Sekretarit të Brendshëm, ish-guvernatorin e Dakotës së Veriut Doug Burgum, me 79 vota pro dhe 18 kundër.
68 vjeçari Burgum, do të drejtojë një agjenci që menaxhon përdorimin e 202 milionë hektarëve tokë federale dhe fisnore, një e pesta e sipërfaqes së vendit.
Ai pritet të ndjekë synimin e zotit Trump për të rritur prodhimin e energjisë dhe mineraleve në tokat publike, që ka të ngjarë të shtojë liçencat e reja në shtetet prodhuese të naftës si Wyoming dhe New Mexico dhe në Gjirin e Amerikës, siç e ka riemëruar zoti Trump Gjirin e Meksikës.
Një ish-ekzekutiv i pasur programesh kompjuterike, zoti Burgum e ka portretizuar veten si një konservator tradicional, i prirur nga biznesi.
Gjatë seancës për konfirmimin e tij, zoti Burgum tha se do të zgjerojë të drejtat për shpimin e naftës dhe gazit dhe do të mbështesë reformat që mund të shpejtojnë zhvillimin e projekteve energjetike.
Komentet e tij sinjalizuan një kthesë të mprehtë në politikën federale pasi administrata e ish-presidentit Joe Biden u përpoq të kufizonte shpimet e naftës dhe gazit në tokat federale dhe të nxiste burimet e ripërtëritshme të energjisë si era dhe dielli, si pjesë e programit të saj për ndryshimet klimatike.
Zoti Burgum kandidoi kundër zotit Trump për emërimin e republikan përpara se të dilte nga gara duke shprehur mbështetjen për zotin Trump. Emri i tij po konsiderohet gjithashtu si kreu i një këshilli të ri kombëtar për të koordinuar politikat për të rritur prodhimin e energjisë në Shtetet e Bashkuara./VOA
Freaksion.com