AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ulje e vazhdueshme e kriminalitetit, afër mesatares së BE-së

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ka një ulje të vazhdueshme të shifrave të kriminalitetit, ndërsa Shqipëria renditet shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian për sa i përket numrit të vrasjeve.

Gjatë prezantimit të rezultateve të anketimit mbi perceptimin e publikut për situatën e sigurisë, Rama nënvizoi se “që prej kohës kur kjo qeveri ka ardhur në detyrë ka pasur ulje të mëtejshme të numrit të vrasjeve”.

“Lami i mirë është që këtë të vërtetë që ne e shohim te shifrat dhe faktet e lexon edhe në faqet e kësaj ankete. Pra, publiku shqiptar është shumë më afër logjikës së fakteve dhe shifrave të progresit të matshëm të Policisë së Shtetit. Populli është shumë më i qartë në leximin e situatës së rendit dhe të sigurisë, se sa të gjithë ata që ia rrokanisin kokën përnatë në sallonet e debateve televizive”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se “82% e qytetarëve ndihen sot të sigurt ose shumë të sigurt në Shqipëri dhe kjo është totalisht brenda normës së mesatares së Bashkimit Europian”.

“Anketa ka të dhëna edhe për pozicionin e Shqipërisë në raport me vendet e tjera në të gjitha vitet që është bërë dhe edhe aty shihet qartë se si pozicioni ka ndryshuar dhe si Shqipëria nga vrima e fundit e kavallit në vitin 2013 në të gjithë parametrat, është afruar drejt mesatares së BE-së, duke qëndruar në mes vendesh evropiane”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “nëse ka një hapësirë që është hapësira më e rrezikshme ku mund të ndihesh i kërcënuar, i sulmuar, i nëpërkëmbur, i dhunuar është jo hapësira e qyteteve tona natën, por hapësira e portaleve ditën dhe natën”.

“Vetëm 4% e qytetarëve kanë qenë viktima të vjedhjes ose sulmit fizik në 5 vitet e fundit, vetëm 4%. Kjo shifër është më e ulët, pra pozitivisht, sesa mesatarja e BE që është 9% dhe është në normën e vendeve më të sigurta të BE. Në këtë vendin tonë ku të gjithë “vriten”, të gjithë “sulmohen”, të gjithë “zvarriten të plagosur rrugëve” po të ndjekësh kanalet dhe portalet, natën dhe ditën, pavarësisht në cilën orë”, tha ai.

Po ashtu, Kryeministri nënvizoi se “65% e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si të mirë ose shumë të mirë që është një përmirësim domethënës në raport me nga jemi nisur”.

“Kjo tregon se reformimi i vazhdueshëm i Policisë dhe puna këmbëngulëse vazhdojnë të japin fryte. Ndërkohë, asgjë nga këto çfarë percepton edhe publiku, nuk komentohet nëpër ekrane, nëpër portale se foltoret politike as nuk po i llogarisim, po përkundrazi mbulohet me këmbëngulje, me baltë e me zift përditë e përnatë”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com