AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Përmirësime të ndjeshme, por nevojitet Akademi Sigurie e nivelit evropian

Kryeministri Edi Rama deklaroi se sot vendi nuk e ka ende një Akademi Sigurie të nivelit evropian, por me planin e ri për të përfshirë studentë në një fakultet të ri të Drejtësisë dhe të Hetimit, si dhe me planin për kampusin e ri të Sigurisë, Policia e Shtetit e 2030-ës do të jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij në prezantimin e anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit, Rama tha se në Akademinë e Sigurisë janë bërë përmirësime të ndjeshme, por ku duhet të bëhet ende më shumë.

“Për të pasur një Polici të Shtetit në mesataren e Bashkimit Evropian në të gjitha aspektet, sepse këto që trajton anketa janë aspektet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me publikun, por janë edhe një sërë aspektesh të tjera që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt, por e prekin drejtpërdrejt interesin e publikut dhe na duhet një Akademi Sigurie e nivelit evropian, që sot ende nuk e kemi që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, Policia e Shtetit e 2030-ës do të jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në BE.

“Tani me planin e ri për të përfshirë studentë në një fakultet të ri të Drejtësisë dhe të Hetimit, rreth 100 studentë, si dhe me planin për Kampusin e ri të Sigurisë, besoj që mund të themi që Policia e Shtetit e 2030-ës do të jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në BE”.

 

Fraksion.com