AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Modernizim i Policisë Rrugore, sistem survejimi me kamera për shkeljet dhe shkelësit

Kryeministri Edi Rama theksoi se së shpejti Policia Rrugore do të ketë një sistem të ri monitorimi sa i përket survejimit me kamera të qyteteve, me fokus qarkullimin rrugor, shkeljet dhe shkelësit.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të anketimit të financuar nga qeveria suedeze, për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vendin tonë dhe besimit tek Policia e Shtetit, kryeministri Rama tha se “duhet parë me kujdes, duhet analizuar me kujdes se të çfarë natyre janë ankesat e qytetarëve që lidhen me Policinë Rrugore, shkeljet rrugore, aksidentet e natyrës së qarkullimit rrugor”.

“Por nga ana tjetër qeveria, ministria e Brendshme do ta ndihmojmë Policinë e Shtetit me një instrument të ri që është pjesë e modernizimit të mëtejshëm teknologjik të Policisë së Shtetit dhe do të kemi një transformim epokal sa i përket survejimit me kamera të qyteteve dhe me fokus qarkullimin rrugor, shkeljet dhe shkelësit”.

“Një sistem i bazuar tek fjala e fundit e teknologjisë digjitale, i pasuruar dhe me Inteligjencë Artificiale që do ti japë mundësi në kohë reale Policisë së Shtetit përmes sallave të monitorimit të të gjithë qyteteve që do ta kenë këtë sistem. Fillimisht do të fillohet me 20 qytete ashtu sikundër fillon dhe investimi, i njëjti sistem të hyjë në rrugët kombëtare do të fillohet me 200 km e para dhe ai sistem do të japë mundësinë që çdo ankesë e çdo qytetari të jetë e verifikueshme në kohë reale edhe kur qytetari ankohet me të drejtë”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “sistemi verifikon jo thjesht me fotografi të përgjithshme, por e verifikon personin me emrin, mbiemrin dhe të gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penalë”.

“Ky është një projekt i jashtëzakonshëm që më në fund e kemi garantuar edhe si financim dhe në bashkëpunim me partnerët e Emirateve të Bashkuara dhe do të fillojmë ta zbatojmë”, tha Rama.

 

Fraksion.com