Presidenti Trump nënshkruan urdhrin për planifikimin e festimeve për 250-vjetorin e Amerikës
Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën për krijimin e një grupi pune të Shtëpisë së Bardhë për të planifikuar atë që ai thotë se do të jetë një “festim madhështor dhe i denjë për 250 vjetorin e Pavarësisë Amerikane”, të cilin vendi do ta festojë më 4 korrik të vitit 2026.
Urdhëri gjithashtu rikthen planet për të krijuar një kopsht të ri kombëtar skulpturash dhe paralajmëron ndëshkime të ashpra për ata që vandalizojnë ose shkatërrojnë statujat dhe monumentet ekzistuese.
Presidenti Trump do të shërbejë si kryetar i grupit të punës, i cili do të përfshijë një listë të gjatë zyrtarësh të lartë të administratës, përfshirë sekretarët e kabinetit.
Urdhri rigjallëron planet e Presidentit Trump për të ndërtuar një “Kopsht Kombëtar të Heronjve Amerikanë” me statuja që përkujtojnë 250 figura historike.
Presidenti Trump së pari njoftoi planet për atë që ai tha se do të ishte “një monument i ri për gjigandët e së kaluarës sonë” në një fjalim të vitit 2020, duke festuar Ditën e Pavarësisë në malin Rushmore në Dakotën e Jugut. Plani parashikonte skulptura të dhjetëra figurave historike amerikane, përfshirë presidentë , atletë dhe ikona të industrisë së muzikës dhe filmit.
Vetë Presidenti miratoi listën e atyre që do të përfshiheshin: Davy Crockett, Billy Graham, Whitney Houston, Harriet Tubman, Antonin Scalia dhe të tjerë.
Megjithatë, nuk u përcaktua ndonjë vend për kopshtin dhe projekti nuk u financua kurrë nga Kongresi. Presidenti Joe Biden shfuqizoi grupin e punës pas zgjedhjes së tij.
Njoftimi i Presidentit Trump bëhet ndërsa konservatorët kanë shtuar reagimet kundër përpjekjeve për të hequr statujat kushtuar udhëheqësve që luftuan për shpalljen e Amerikës konfederatë dhe atyre që kanë mbajtur skllevër. Përpjekjet për heqjen e këtyre statujave u shtuan pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd dhe protestave që pasuan.
“Kopshti Kombëtar do të nderojë heroizmin amerikan pasi dhjetëra monumente për amerikanët, përfshirë Presidentët dhe Baballarët Themelues të kombit, janë rrëzuar ose shkatërruar dhe nuk janë restauruar kurrë”, thuhet në një dokument të Shtëpisë së Bardhë mbi urdhrin që u publikua nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ përpara nënshkrimit.
Veprimi i së mërkurës gjithashtu rikthen urdhërin ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Trump në vitin 2020, të cilin Presidenti Biden gjithashtu e përmbysi, që kishte për qëllim mbrojtjen e monumenteve, memorialeve dhe statujave nga shkatërrimi dhe vandalizmi.
Presidenti Trump e kishte nënshkruar urdhrin gjatë protestave për padrejtësitë racore atë vit pasi policia pengoi një përpjekje të protestuesve për të rrëzuar një statujë të Andrew Jackson-it, presidentit të shtatë të Shteteve të Bashkuara, në një park përballë Shtëpisë së Bardhë.
Ai urdhër i mëparshëm i bënte thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të ndiqte ligjërisht çdo person ose grup përgjegjës për shkatërrimin ose vandalizimin e një monumenti, memoriali ose statuje. Ai bënte thirrje për ndjekjen maksimale të kujtdo që nxiti dhunë dhe veprimtari të paligjshme dhe kërcënoi agjencitë shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit me humbjen e fondeve federale nëse nuk arrinin të mbronin monumentet.
Urdhri i së mërkurës përmend si “shembuj rastet e fundit të kësaj sjelljeje që kërkon rikthimin e këtij urdhri” pas sulmit terrorist të 7 tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi dhe pas përgjigjes ushtarake izraelite në Gazë. Gjatë një demonstrate qershorin e kaluar, protestuesit që kërkonin armëpushim vandalizuan statujat dhe strukturat rreth Shtëpisë së Bardhë me mbishkrime.
Gjatë fushatës së vitit të kaluar, zoti Trump kishte folur për krijimin e feste me aktivitete që do të mbaheshin gjatë tërë vitit, me emrin “Nderime për Amerikën 250 (vjeçare)”. Ai tha se në ditën e tij të parë të kthimit në detyrë do të mblidhte një grup pune që do të ishte përgjegjës për koordinimin me qeveritë shtetërore dhe vendore për të planifikuar festimet, duke filluar në Ditën e Përkujtimit të të Rënëve në Luftra të këtij viti.
Ai tha se donte që plani të përfshinte një “Panair të Madh të Shtetit Amerikan” në Ajova, me pavijone që “do të tregonin lavdinë e çdo shteti, do të promovonin krenarinë për historinë tonë dhe do të shfaqnin vizione novatore për të ardhmen e Amerikës”.
Presidenti gjithas tha se donte të nisë “Lojërat Patriotike”, gara sportive që paraqesin atletë të shkollave të mesme nga i gjithë vendi. Presidenti Trump tha se kjo“do t’i mundësonte të rinjve amerikanë nga çdo shtet të shfaqnin aftësitë më të mira sportive dhe shpirtin amerikan të garës”./voa
Fraksion.com