AktualitetPolitikëTë fundit

Pezullimi i procesit për kreun e ri të RTSH, Gonzato: Vendimi i duhur, duhet transparencë

Një ditë pasi Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar vendosi me shumicë votash që të pezullojë procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së, deri pas seancës dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Gonzato e ka cilësuar vendimin si të duhurin, ndërsa shton se duhet të ketë transparencë.

“Vendimi i duhur. Në një kohë kur ne hapim platformën për promovimin e lirisë së shprehjes në Shqipëri përmes dialogut të hapur, ne duhet të ndërtojmë besim dhe të sigurojmë transparencë,” shkruan Gonzato.

Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pas kërkesës së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik të Kuvendit për t’u njohur me ligjshmërinë e procedurave të ndjekura deri më tani për përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikueshëm.

Gjatë mbledhjes së datës 27 janar, komisioni ad hoc i ngritur nga Këshilli Drejtues votoi pesë platforma të paraqitura dhe kualifikoi dy kandidatë për fazën e dëgjesës.

Ditën e hënë në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik është parashikuar të mbahet seanca dëgjimore me Këshillin Drejtues.

 

Fraksion.com