Naim Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt
Në seancën fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj është deklaruar “plotësisht i pafajshëm” për vrasjen e saj.
I akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin, Granit Plava tha se zgjedh të mbrohet në heshtje, ndërkaq Tom Dodaj ka pranuar fajësinë.
Dodaj është përfshirë në akuzë, pasi i ka shitur armën Murselit, me të cilin më pas është kryer vrasja e Liridona Ademajt.
Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, tha se nëse gjenden fajtorë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm.
Ndërkaq, Tom Dodaj mund të dënohet nga një deri me tetë vjet burgim. Gjykata tha se pas pranimit të fajësisë, aktgjykimi ndaj Dodajt do të shpallet në orën 12:40.
Seanca fillestare për këtë rast ishte paraparë të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.
Gjatë shqyrtimit fillestar më 31 janar, Prokuroria ka lexuar aktakuzën që rëndon ndaj katër të akuzuarve. Aty thuhet se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin.
Prokuroria: Naim Murseli planifikoi vrasjen e Liridonës
Duke folur për pjesën e aktakuzës ndaj Naim Murselit, prokurorja Javorka Përlinçeviq, tha se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Liridonën nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi çifti kishte pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”.
Prokuroria tha se më 25 qershor 2022, është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën në vlerë prej 3.000.000 kruna suedeze me qëllim që pas vdekjes së saj, Naim Murseli të përfitonte këtë sigurim.
Prokuroria tha se Naimi ia ka shpalosur planin e tij të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për vrasjen e bashkëshortes dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar.
Më pas në këtë çështje, sipas Prokurorisë është përfshirë Granit Plava dhe të tre janë pajtuar që Plava ta kryejë vrasjen dhe Murseli do ta kompensonte me një shumë prej 30 mijë eurosh.
Ndërkaq, përfshirja e Tom Dodajt është bërë më 29 nëntor 2023, kur Murseli ka blerë një pistoletë dhe 20 fishekë nga ai, në vlerë prej 280 eurosh, armë që është përdorur për vrasjen e Liridonës.
Vrasja, tha Prokuroria është kryer në intervalin kohor nga 19:00 deri në 20:18, në vendin e dakorduar mes tre të akuzuarve, e inskenuar në atë formë me qëllim që të dukej si grabitje.
“….Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka, Naimi me fëmijët kanë dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.”, tha Prokuroria.
Çfarë ndodhi në nisje të seancës?
Në nisje të seancës të premten, sërish pati ankesa nga një avokat mbrojtës se kishte pasur vështirësi në qasje në shkresat e lëndës.
Gjyqtarja Fatime Dermaku, njoftoi se më 30 janar ka pranuar një email nga Ndrec Dodaj, avokat i Kushtrim Kokallës, që thotë se CD-të e pranuara për lëndën, nuk hapen.
“Sot kam kërkuar nga mbrojtësi përmes zyrtares time ligjore që të marrë ato CD me vete. Lidhur me pretendimet e tij kemi ftuar edhe IT e gjykatës për të vërtetuar nëse CD hapen”, tha gjyqtarja Dermaku.
Avokati Dodaj pranoi se i ka marr këto materiale me vete, duke shtuar se ai i ka provuar CD në dy kompjuterë të kolegëve.
Në gjykatore më pas erdhi IT-ja e gjykatës që ia mori CD-të avokatin për të verifikuar hapjen e tyre.
“Kjo po bëhet për të vërtetuar pretendimet e mbrojtësit”, tha gjyqtarja, teksa IT-ja para të gjithëve në sallë hapi të katër CD-të që kishte avokati.
Gjyqtarja tha se me këtë konstatohet se materialet janë në rregull dhe se të njëjtat u janë dërguar palëve. Ajo shtoi se me këtë konstatohet se prokurori i shtetit ka përmbushur të gjitha detyrimet, sa i përket materialeve.
Më pas, gjyqtarja vazhdoi me leximin e të drejtave të të akuzuarve. Ishte Kushtrim Kokallla ai që tha se nuk i kuptonte të drejtat. Kjo shtyu avokatin e tij Dodaj që të kërkonte konsultim me klientin.
Por, gjyqtarja i tha avokatit që të mos e pengonte procedurën dhe i shqiptoi vërejtje me shkrim dhe e paralajmëroi se radhës tjetër do ta dënonte me gjobë.
Më pas, ekipi mbrojtës i Naim Murselit, u ankua për sjelljen e gjyqtares ndaj avokatit të Kokallës. Gjykatësja shqiptoi gjobë prej 500 eurosh ndaj mbrojtësit të Murselit, Shemsedin Piraj, për prishje të rendit dhe qetësisë.
Përveç të të akuzuarve, në sallën e gjyqit më 31 janar të pranishëm ishin edhe babai dhe vëllai i Liridonës.
Tom Dodaj, që akuzohet se ka shitur armën që u përdor në vrasjen e Liridonës, është parë duke hyrë në gjykatë, ndërkaq tre të akuzuarit e tjerë janë dërguar në gjykatore nga një hyrje tjetër e gjykatës, larg syrit të mediave.
Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, deklaroi më 15 janar se jatë kohës që çifti jetonte në Suedi – së bashku me dy fëmijët e tyre – ata kishin pasur “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.
“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.
Deri te ky informacion, sipas prokurores, autoritetet erdhën pas bashkëpunimit me shtetin e Suedisë, pasi Prokuroria në Prishtinë kishin kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore.
“Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim”, deklaroi Përlinçeviq.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë konferencës për media më 15 janar deklaroi se vrasja e kryer nga “anëtari i familjes” u krye në “mënyrë dinake”, prandaj shtoi se pret dënim kapital nga gjykata.
Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast, përkatësisht ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.
Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim, ndërkaq Dodaj po mbrohet në liri.
Vrasja e Liridona Ademajt kishte shkaktuar zemërim në publik edhe për faktin që bashkëshorti i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit.
Familja e Liridonës kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, në mënyrë që ajo të varrosej vranë varrezave të prindërve të saj, ndërkaq aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.
Sipas të dhënave, që nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë afër 60 gra. Në të shumtën e rasteve, dorasit kanë qenë bashkëshortët.
Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”.
Fraksion.com