AktualitetPolitikëTë fundit

Ministri Vengu inspekton aksin Kërkovë-Bunavi: Perspektivë e re zhvillimi për banorët e zonës

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu inspektoi së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha dhe Prefektin, Plator Nesturi aksin rrugor Kërkovë–Bunavi, i cili është përfshirë në planin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për rehabilitimin e plotë.

Ministri i Mbrojtjes e cilësoi këtë një lajm shumë të mirë për banorët e zonës dhe Bazën ushtarake të Bunavisë, pasi rehabilitimi i këtij aksi hap një perspektivë të re zhvillimi për rreth 7 fshatra të njësive Shushicë dhe Llakatund.

Sipas Ministrit, transporti dhe aksesi drejt qytetit të Vlorës do të lehtësohet ndjeshëm, duke afruar edhe më shumë banorët e zonave përreth.

“Në Bunavi, ku FA kanë nisur punën për rehabilitimin e insfrastrukturës së aksesit në bazë dhe si pjesë e përgjegjësisë sociale të FA, në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi ardhur të bëjmë ndarjen dhe rakordimin inxhinierik të detyrave, pasi ky aks është edhe një rrrugë që lidh Bestrovën me Bunavinë dhe më tej me Llakatundin. Në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi në process punime që do të vijojnë gjatë gjithë këtyre muajve, për të ndërlidhur të gjithë këto fshatra”, u shpreh ministri Vengu.

Me përfundimin e këtij segmenti, i cili lidhet me rrugën Bestrovë–Kërkovë, finalizohet objektivi për t’u qëndruar pranë me vepra njerëzve të punës në këtë zonë me potencial të madh bujqësor dhe turistik, theksoi Ministri.

Sipas tij, “në Bazën e Bunavisë do të ketë edhe një përqendrim të forcave me një brigadë të emergjencave civile, ç’ka do ta bëjë këtë qendër të FA të frekuentuar nga rreth 550 forca çdo ditë dhe në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm ne synojmë që edhe shërbimet e bazës të ofrohen përmes këtij komuniteti, qoftë sa i përket furnizimet, produkteve blegtorale, etj.”.

Ndërkaq, Kryetari i Bashkisë së Vlosë, Ermal Dredha u shpreh se veç këtij aksi, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit do të ndërhyhet edhe me projekte të tjera që do të nisin shumë shpejt, siç janë: rruga e Dukatit, një projekt që do të nisë në muajin prill në Orikum, apo edhe brenda qytetit të Vlorës.

Gjatësia e segmentit rrugor Kërkovë–Bunavi do të jetë afërsisht 3 km, ndërsa gjerësia e rrugës është 4 metër.

 

Fraksion.com