Kosova ndan gjysmë milioni euro për palestinezët në Gazë
Qeveria e Kosovës ka ndarë gjysmë milioni euro si ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë, pas arritjes së armëpushimit më herët gjatë këtij muaji, që ndali luftën 15-mujore në enklavën palestineze.
Kurti tha se lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme materiale, prandaj palestinezëve u duhet ndihma nga shtetet e tjera që të mbijetojnë dhe rindërtojnë vendin e tyre.
Më 19 janar hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, duke mundësuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael, por edhe dërgimin e ndihmave humanitare dhe kthimin e palestinezëve në shtëpitë e tyre. Lufta detyroi popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të zhvendoseshin nga shtëpitë e tyre, shpesh më shumë se një herë, dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha në enklavë.
Një vlerësim i dëmeve, i bërë nga Kombet e Bashkuara i publikuar këtë muaj, tregoi se pastrimi i mbi 50 milionë tonë rrënojave të mbetura si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet.
Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor, Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze./REL
Fraksion.com