AktualitetPolitikëTë fundit

Hoxha: Transformim i perceptimit të publikut për Policinë, në dekadën e fundit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha u shpreh sot në prezantimin e anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit, se ky institucion ka bërë hapa të mëdhenj në dekadën e fundit drejt një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë.

“Ndajmë me ju sot si një histori suksesi, historinë e një institucioni që ka një shtyllë të fortë të sigurisë dhe të besimit në rritje për shoqërinë shqiptare. Policia e Shtetit në dekadën e  fundit ka bërë hapa të mëdhenj drejt një të ardhme më të sigurt, më të drejtë për të gjithë ne”, tha Hoxha.

Ministri i Brendshëm u shpreh se në dekadën e fundit, është transformuar perceptimi i publikut dhe fituar besimi i tij.

“Kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por është rezultat i një pune të palodhur, e cila ka përfshirë: Modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, shërbimeve online; Transparencën në çdo vendim, duke siguruar që qytetarët të jenë të informuar dhe të përfshirë; Përgjegjësinë ndaj komunitetit, duke dëgjuar shqetësimet dhe duke vepruar për t’i adresuar problematikat që marrim prej tyre”, tha ai, duke shtuar se “bashkëpunimi me qytetarët dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, sepse besojmë se siguria është një detyrë e përbashkët”.

“Madje dhe besimi në rritje tek Policia është edhe frut i rezultateve të institucioneve të reja të drejtësisë”, tha ai.

Duke iu rikthyer sondazhit, Hoxha tha se rezultatet janë të dukshme.

“Sot, 65 % e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si “Të mirë” ose “Shumë të mirë”. Koha e reagimit ndaj krimeve është përmirësuar, dhe 67 % e qytetarëve besojnë se trajtohen me respekt. Këto numra nuk janë thjesht statistika – janë pasqyra e besimit të fituar me mund dhe sacrifice”, u shpreh ai.

Por, vijoi Hoxha, suksesi më i madh është ndryshimi në jetën e përditshme të njerëzve.

“82 % e qytetarëve ndihen të sigurt në zonat e tyre të banimit, dhe ky është një tregues që na motivon të ecim përpara. Një element tjetër që na bën krenar është se Policia e Shtetit Shqiptar po arrin tërësisht standardet e vendeve të Bashkimit Europian”, u shpreh ministri Hoxha.

“Megjithatë, e dimë që ka vend për përmirësim, veçanërisht në aspektin e ndjenjës së sigurisë gjatë natës, ku ne jemi shumë afër mesatares evropiane. Por ky është vetëm një motivim që të punojmë edhe më fort”, vijoi Hoxha.

Sipas tij, fakti që vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga rreth 12 milionë turistë dhe patëm zero ngjarje kriminale, është edhe një arsye tjetër pse vendi ynë i bukur zgjidhet si destinacion i sigurt për pushime”, theksoi ai.

“Nën markën “Safe Stay in Albania”, ne tani keni nisur punën për garantimin e një tjetër viti të suksseshëm turistik”, vuri në dukje ai.

“Në kuadër të implementimit të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, përmbyllëm një proces tërësisht reformues në nivelin drejtues deri në bazë, të organizatës së Policisë së Shtetit, duke gjeneruar një brez drejtuesish të ri dhe innovator”, tha Hoxha.

Ministri theksoi se Policia e Shtetit shumë shpejt do të implementojë projektin qeveritar “Smart City” që do të shtrihet në 20 qytetet kryesore të vendit, duke qenë më afër qytetarit nëpërmjet identifikimit të autorëve të ngjarjeve, në kohë reale.

“Sfidë e shpejtë është edhe angazhimi i Policisë në garantimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe pa ngjarje të dënueshme”, tha ai.

Hoxha u ndal edhe tek sfidat duke theksuar se ka ende punë për të bërë.

“Sfidat si aksidentet rrugore, vjedhjet dhe mashtrimet na kujtojnë që nuk mund të ndalemi së punuari. Në përditshmërinë time si drejtues që vij nga radhët e Policisë, po konstatoj çdo ditë se besimi nuk jepet, ai fitohet. Ne kemi punuar çdo ditë për ta fituar atë”, tha Hoxha.

 

Fraksion.com